Partia Demokratike pak ditë para protestës së 27 Janarit ka dalë me një nismë të re. PD e mbështetur nga aleatët dhe LSI synon që me anë të një amendamenti të zhbëjë zgjedhjen e kryeprokurores së re të Përkohshme, Arta Marku.
Për këtë arsye, PD ka dorëzuar në Kuvend një kërkesë ku thuhet shprehimisht se në bazë të këtij propozimi, duhet të ndryshojë Kushtetuta për zgjedhjen e Prokurorit të Përkohshëm në mënyrë që zgjedhja të bëhet me 3/5 e votave si dhe kalimin e Prokurorit të ri në procesin e Vettingut.
Kërkesa e PD-së vjen një muaj pasi mazhoranca e Edi Ramës zgjodhi me 69 vota Arta Markun në krye të organit të akuzës.
Por sa efekt do ketë lëvizja e opozitës në këtë situatë?
Kreu i PD-së, Lulzim Basha pas përfundimit të protestës së opozitës brenda dhe jashtë parlamentit në 18 Dhjetor , iu përgjigj interesit të gazetarëve, nëse PD do e çonte çështjen në Gjykatën Kushtetuese tekstualisht:
“Për pyetjen e parë, dua t’i sqaroj të gjithë qytetarët shqiptarë. Gjykata Kushtetuese, nuk është as zjarrfikës dhe as forcë paqeruajtëse. Gjykata Kushtetuese është një institucion juridik, i cili ka për detyrë të interpretojë paqartësitë në raport me zbatimin e Kushtetutës.
Askush nuk duhet ta mendojë, as të fshihet pas gishtit, se shpëtimi në krizën ku ndodhet vendi, ku institucionet janë zaptuar nga narkoshteti, ku kryeprokurori është emëruar politikisht në shkelje të Kushtetutës, do të vijë përmes proçedurave juridike apo apeleve dhe ankesave në Gjykatë Kushtetuese”.
Nga deklarata e mësipërme shqiptarët kuptuan se zgjidhja në këto raste do vijë nga populli, pasi sipas kreut të PD-së, Gjykata Kushtetuese nuk është shpëtimi. Sipas Bashës situata ku vendi ndodhej në Dhjetor nuk ishte çështje ligjore pasi shteti kishte rënë.
“Më lejoni në radhë të parë të them se, kjo nuk është një çështje burokracie, as peticionesh, por është një çështje e mprehtë politike. Shqipëria gjendet në një krizë të gjithanshme politike, ekonomike, kushtetuese, në një krizë të thellë besimi. Kjo nuk ndalet, për një arsye të thjeshtë, sepse në Shqipëri ka rënë shteti.
Në këtë kuptim nuk dua të jap asnjë iluzion asnjë shqiptari, as protestuesve, as atyre që do të vijnë nesër, se kjo krizë e thellë politike që Edi Rama e ka shkaktuar për të mbrojtur bashkëpunëtorët e tij, të kapur në flagrancë si bashkëpunëtorë të krimit të organizuar, mund të zgjidhet me peticione ligjore.”tha Basha para gazetarëve.
Mbetet e paqartë gjendja e PD-së dhe dyzimi i kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, lidhur me çështjen e Arta Markut rreth 1 muaj pas zgjedhjes së saj si kryeprokurore e përkohshme. Rezulton se opozita po kërkon më mënyrë instiutucionale (kur një muaj më parë e përjashtoi si mundësi për shkak të rënies së shtetit ligjor) një ligj ekskluziv për një person të vetëm, pasi Kushtetuta nuk e specifikon rastin e Kryeprokurorit të ri të Përkohshëm, me shumë gjasa një precedent i cili nuk do të përsëritet më pas përfundimit të Reformës në Drejtësi.
Por dhe nëse strategjia opozitare ka ndryshuar rrugës, sa shanse ka kjo nismë ligjore të arrijë tek qëllimi final: Ndërprerja e menjëhershme e mandatit të kryeprokurores së përkohshme Arta Marku dhe votimi me 3/5 të Kryeprokurorit të ri përkohshëm?
Kujtojmë se nisma e PD-së për t’u vënë në fuqi duhet të votohet nga deputetët e PS-së të cilët një muaj më parë zgjodhën Markun.
Kjo nismë e dy partive opozitare, në rastin më të mirë mund të rezultojë ‘nul’ (bëhen përpjekje institucionale dhe ligjore) ndërsa në atë më të keq mund të vijojë të prodhojë deklarata qesharake.
Nëse PD-ja në Dhjetor kishte në plan t’i drejtohej popullit për zgjidhjen dhe jo Gjykatës Kushtetuese atëherë pse në Janar i drejtohet Parlamentit për shpëtim?
Në këtë situatë ngrihet një pyetje e thjeshtë: A i ka të karikuara bateritë Lulzim Basha dhe të vetët për protestën e 27 Janarit dhe çfarë pritet të shohim kësaj here?
(F.G/Faxweb)