Nga Agim Baçi
Dy vite më parë, pas zgjedhjeve të 25 Prillit të vitit 2021, OSBE-ODIHR veçoi një nga fenomenet më negative për një shoqëri demokratike, teksa theksoi se në procesin zgjedhor, Qeveria, që nënkuptohet se duhet t’i shërbejë të gjithëve, ishte bërë njësh me partinë në pushtet.
Një evidentim i tillë kaq i rëndë për një shoqëri demokratike, jo vetëm që nuk u ndoq në çdo institucion përgjegjës, por në prag të zgjedhjeve lokale u shfaq edhe më e fortë me një nivel të ri të patronazhistëve, “Activist 1”, për të cilin kryeministri Rama shprehej plot krenari. Madje, nuk pati asnjë reagim nga organet përgjegjëse për zgjedhjet dhe hetimin e shkeljeve kur kryeministri Rama deklaroi plot krenari se nuk do respektonte Kodin Zgjedhor që i ndalon qeverisë dhe të zgjedhurve lokalë që të përdorin paratë e taksapaguesve për të devijuar vullnetin e zgjedhësve.
E megjithatë, pavarësisht fakteve të rënda për manipulim, askush nuk mund të justifikojë sjelljen jopolitike të Berishës, i cili që prej së dielës në mbrëmje flet sikur është një reporter i OSBE-së dhe jo personi që i kish premtuar demokratëve se me 15 Maj Shqipëria do ishte “blu”.
Ai po mundohet të fshihet pas akuzës për vjedhje, edhe pse vetë e kish akuzuar parardhësin se kish shitur zgjedhjet pavarësisht se kishte manipulime dhe masakër zgjedhore.
Edhe më tallje është kur kërkon të fajësojë Alibeajn, ndërkohë që Alibeaj si akuzë nga demokratët mund të kritikohet sepse i la Berishës gjithçka që ky i fundit të mos kishte alibi PD-në për humbjen. ( Madje, sekretari ligjor në PD, Indrit Sefa, e sfidoi dy ditë më parë doktorin të pyeste kandidatët e BF në 47 bashki se si, me firmën e tij, kishin patur komisionerët e tyre).
E vërteta është se manipulimi i qeverisë mund të rezultojë i vërtetë në të gjitha aktet e denoncuara, por nuk mund të justifikojë refuzimin ndaj Sali Berishës. Madje dhe refuzimin e PD-së të drejtuar nga Alibeaj. Por ky i fundit as nuk premtoi një “Shqipëri blu” e as e vuri strukturën e PD në dispozicion të këtij qëllimi.
Kushdo që kërkon t’i japë të drejtë doktorit se, humbja erdhi vetëm nga manipulimet, po merr pjesë me vetëdije në talljen e demokratëve dhe në vonimin e forcimit të një alternative të fortë përballë një kryeministri që po e kthen Shqipërinë në bajrakun e tij personal.
Deputetë si Tomor Alizoti e Agron Shehaj, apo politikanë si Edith Harxhi, që me të drejtë kritikuan Bashën dy vite më parë, duhet të jenë të drejtë me veten e tyre, dhe këtë kritikë t’ia bëjnë sa më parë Berishës, e mos të sillen siç sillen idhujtarët frikacakë. Nëse ata besojnë se janë mbi palët, duhet të thonë të gjitha të vërtetat, dhe jo vetëm për një palë.
Berisha dhe mbrojtësit e tij do mundohen t’i etiketojnë kritikët ndaj Berishës si argatë të qeverisë, të Ramës. Kjo është e vetmja metodë që Berisha ka përdorur në 32 vite me këdo që nuk ka tundur kokën përpara tij. Por përgjegjësia ndaj të ardhmes së shqiptarëve është më e madhe se PD, më e madhe se e ardhmja e tyre personale.
Ndërkaq, ata që besojnë se Berisha do ndjehet keq se Alibeaj u tërhoq duke mbajtur përgjegjësi politike, thjesht nuk e kanë njohur këmbënguljen e doktorit për të besuar vetëm të vërtetat që ndërton ai vetë dhe për t’ia sugjeruar mbështetësve si të vetmet të vërteta.
…Edi Rama duhet refuzuar për një denatyrim të demokracisë, për inkurajimin e të fortëve që të bëhen pjesë e shtetit, dhe për një shpërfytyrim të administratës që sot sillet si shtojcë e PS-së, duke dekurajuar kështu këdo që kërkon të jetojë me dinjitet dhe jo së lëpirës i pushtetit dhe me frikën ndaj rrugaçërisë.
Por, Sali Berisha duhet refuzuar sepse kërkon të pushtojë institucionin e shpresës për ndryshim, duke kthyer vetëm gjuhën e urrejtjes dhe mungesën e leximit të realitetit.
Shqiptarët nuk kanë nevojë për një drejtues opozite që deklaron se “jam tmerri i kundërshtarit”, pasi nuk do i tregojë përralka me kuçedër, por kanë nevojë për një drejtues opozite që u ofron shqiptarëve besim, që jep shpresë se e keqja mundet me idedhe me moral.