Të dhënat e INSTAT zbulojnë sektorët që kanë norma më të larta fitimi në Shqipëri. Si ka ndryshuar përfitueshmëria dy vitet e fundit.
Segmentet që kanë përjetuar rritje të marzheve të fitimit dhe ata që po përballen me rënie të tyre
Nga Ornela Liperi
Të hapësh sot një biznes të ri, apo të mbash në këmbë një të “vjetër” po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Konkurrenca është shtuar, shumë tregje janë maturuar, ka pak apo aspak sektorë që janë ende të lirë, shërbimet janë sofistikuar, duke u lënë vend më të mirëve, të mëdhenjtë po rriten në “kurriz” të të vegjëlve, duke u bërë “gjëmën” këtyre të fundit.
Të gjithë po nxitojnë të ndajnë një tortë, e cila jo vetëm që nuk është rritur vitet e fundit, për shkak të ngadalësimit të ekonomisë si rrjedhojë e krizës, por madje në vlerë relative edhe është zvogëluar, pasi po ndahet në më shumë pjesë. Në kahun tjetër, Shqipëria mbetet prapa në teknologjitë e informacionit dhe novacionit, që janë dy elementet që po u japin shtysë bizneseve kudo në botë dhe po ndikojnë në rritjen e produktivitetit dhe përfitueshmërisë.
Por, cilët janë sektorët në industri, shërbime e tregti, që po gjenerojnë norma fitimi më të larta? Sa fitimprurëse janë bizneset e vogla, në krahasim me ato të mëdhatë? Monitor ka përpunuar të dhënat e qarkullimit vjetor dhe fitimeve që raporton INSTAT në Anketën Strukturore të Ndërmarrjeve, për vitet 2014 dhe 2015 (viti 2015 është i fundit i disponueshëm).
Nga shifrat e INSTAT rezulton se nga tetë sektorë kryesorë të ekonomisë, katër kanë shënuar rënie të normave të fitimit në 2015-n (Industria nxjerrëse; Akomodimi dhe shërbimi ushqimor; Transporti, informacioni dhe komunikacioni; Shërbimet) dhe në katër të tjerë ato janë rritur (Industria përpunuese, Energjia elektrike, gazi, uji dhe trajtimi i mbetjeve, Ndërtimi, Tregtia). Në total, për të gjithë prodhuesit në ekonomi, norma e fitimit ishte 8.5% në 2015-n, nga 6% që kishte qenë vitin e mëparshëm, e ndikuar gjerësisht nga performanca e mirë e kompanive shtetërore të energjetikës.
Sektori më fitimprurëse në ekonomi (duke përjashtuar kompanitë shtetërore në energji) mbetet ai i shërbimeve, që për 100 lekë të ardhura mori 14.2 lekë fitime në 2015-n, ndonëse me një rënie nga viti i mëparshëm.
I dyti është akomodimi dhe shërbimi ushqimor, me 10.8% marzh fitimi, ndonëse shtimi i konkurrencës në këtë biznes mjaft të përhapur, ka bërë që përfitueshmëria të vijë në rënie.
Ndërtimi është një sektor që edhe pas shumë vitesh vijon të gjenerojë fitime, madje ai e ka rimarrë veten në 2015-n, teksa marzhi është rritur nga 9.7 në 10.1%.
Tregtia, biznesi më i “lehtë” i shitblerjes, edhe ai me një konkurrencë të lartë, ka përmirësuar fitimet, teksa norma e kthimit është rritur nga 5.1% në 6.9%.
Sektorët e industrisë shënojnë luhatje të mëdha nga një vit në tjetrin, në varësi të koniunkturës ndërkombëtare të çmimeve dhe kontratave të porosisë për eksport.
Me një rënie të ndjeshme janë normat e fitimeve të industrisë së komunikacioneve, transportit dhe informacionit, nga 8.3% në 2014-n, në vetëm 1.9% në 2016-n.
Këto janë të dhënat zyrtare të raportuara nga INSTAT, ndërsa fitimet reale mund të jenë edhe më të larta, për shkak të nivelit të lartë të informalitetit në vend, që zyrtarisht llogaritet në rreth 30%.
Energjia, “reforma” përmirësoi fitimet
Sektori i “Energjisë elektrike, gazit, ujit dhe trajtimi i mbetjeve” ka rezultuar më fitimprurësi në ekonomi gjatë vitit 2015, me një marzh prej gati 20% në 2015-n, nga humbjet e larta të vitit të mëparshëm. Ky sektor karakterizohet nga sipërmarrjet e mëdha shtetërore të energjisë, të cilat gjatë vitit 2015, pas reformës së energjisë, përmirësuan ndjeshëm performancën e tyre, sidomos Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE).
OSHEE në vitin 2015, sipas të dhënave nga bilanci i saj, ishte kompania me fitim më të lartë në Shqipëri në vitin 2015, me 18.2 miliardë lekë (para taksave), apo rreth 130 milionë euro, duke përfshirë dhe të ardhurat e jashtëzakonshme që erdhën pas aksionit për mbledhjen e detyrimeve të prapambetura të energjisë. Ky fitim i lartë erdhi pas humbjeve prej 2 miliardë lekësh të vitit të kaluar.
Edhe operatori publik i prodhimit të energjisë elektrike, KESH, shënoi një përmirësim të ndjeshëm të rezultatit financiar, nga një humbje prej 22 miliardë lekësh, në një fitim para taksave prej 1.45 miliardë lekësh.
Operatori i Shpërndarjes e Transmetimit (OST) ka rezultuar me një fitim prej 1.2 miliardë lekësh, pothuajse përgjysmim në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Shërbimet, “i vogël është i mrekullueshëm”
Shërbimet janë një sektor që punësojnë rreth 93 mijë persona në vend, teksa ka më shumë se 20 mijë sipërmarrje, 90% e të cilave janë të vogla me 1-4 punonjës.
Pikërisht bizneset e vogla rezultojnë dhe më fitimprurëset. Norma e fitimit të subjekteve që veprojnë në fushën e shërbimeve dhe që kanë nga 1-4 punonjës arrin në gati 34%, duke shënuar rekordin nga të gjithë kategoritë që raporton INSTAT. Shërbimet karakterizohen nga shpenzime relativisht të ulëta, që u mundësojnë kompanive të vogla të gjenerojnë fitime të larta.
Sipas kategorive, aktiviteti më fitimprurës në shërbime është ai i pasurive të paluajtshme, me një marzh prej rreth 25%. Profesionet e lira marrin gati një të pestën e xhiros si fitim. Sektori i arsimit arrin një normë prej 10%.
Ata që lodhen më shumë dhe fitojnë më pak janë agjencitë e udhëtimit, që punojnë kryesisht me komisione, që iu mundësojnë një normë fitimi minimale prej 4.8%.
Akomodimi dhe shërbimi ushqimor, shansi i turizmit
Sipas të dhënave të fundit të INSTAT, numri i bar-kafeve në Shqipëri në fund të vitit 2015 ishte 13,612. Me një popullsi prej 2.88 milionë banorësh, Shqipëria ka 473 bar-kafe për 100 mijë banorë. Sipas të dhënave të përpunuara nga ‘Monitor’, shteti i vetëm në botë që na e kalon është Spanja, i cili renditet si vendi me numrin më të lartë të bar-kafeve në botë, në raport me popullsinë.
Në Spanjë ka 270 mijë bar-kafe për 46 milionë banorë, apo 587 bar-kafe për 100 mijë banorë, shumë më i lartë se vendet e tjera, që në pjesën më të madhe kanë më pak se 200 bar-kafe për 100 mijë banorë, sipas statistikave globale.
Në Itali, sipas të dhënave të FIPE (Federazione Italiana Pubblici Esercizi) ka 149,885 bare që janë aktive. Me një popullsi prej rreth 60 milionë banorësh, Italia ka rreth 250 bar-kafe për 100 mijë banorë, apo gati sa gjysma e Shqipërisë.
Në Amsterdam ka 63.5 bare për 100 mijë banorë, sipas Trade Association for Horeca and Catering, në Berlin 36, në Bruksel 148.3, në Londër 32, në Stamboll vetën 2.1, në Nju Jork 32.5, në Paris 27.2, Stokholm 19.1, në Sao Paolo 133.3. Më i lartë është në Seul me 186.4, Tokio 216.5, Rio de Zhaneiro 191 etj.
Sipas INSTAT, në 2015-n, numri i bar-kafeve u rrit me 31%, nga rreth 10.4 mijë në 13.6 mijë, pra shtesa neto ishte rreth 3200 bar-kafe të reja (në këtë shifër ka dhe lokale të vogla që mund të jenë formalizuar, pas aksionit të tatimeve në tremujorin e fundit 2015). Po, sipas INSTAT, numri i restoranteve në fund të 2015-s ishte 4,061 edhe ai i rritur me 22%.
Konkurrenca e lartë ka sjellë dhe ulje të normave të fitimit, që zbritën në 10.8%, nga 12.5% në 2014-n, gjithnjë sipas të dhënave zyrtare.
Ashtu si në rastin e shërbimeve, subjektet e vogla, me 1.4 të punësuar raportojnë me një normë më të lartë fitimi, që arrin në 17%. Rritja e numrit të turistëve të huaj, teksa interesi për Shqipërinë është shtuar dukshëm, pritet t’i japë një hov të ri këtij sektori, sidomos në zonat turistike, bregdetare, apo dhe malore. Sipas INSTAT, në pesë muajt e parë të vitit turistët e huaj që erdhën me pushime arritën në 367 mijë, me trefishim në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rikthimi i ndërtimit
Ndërtimi i është kthyer sërish ciklit rritës, pas rënies që përjetoi ky sektor në periudhën 2009-2013. Kjo është reflektuar dhe në përmirësimin e lehtë të marzheve të fitimit (nga 9.7% në 10.1%), por edhe në rritjen e numrit të ndërmarrjeve, të punësuarve dhe qarkullimit vjetor.
Të ardhurat gjithsej të ndërtimit ishin 205 miliardë lekë në 2015-n, me një zgjerim prej 16%, teksa numri i të punësuarve u rrit nga 35 mijë në gati 39 mijë.
Ndërtimi i apartamenteve është një aktivitet ciklik, që arrin fitime të larta kur shiten apartamentet, përfshirë dhe ato të mbetura stok dhe në 2015-n, kompanitë kanë raportuar fitime të larta për shkak të rigjallërimit të shitjeve.
Në vitin 2015, Erjoni Ndërtim raportoi fitime para taksave prej 783 milionë lekësh, me një normë fitimi prej 52%.
RFZ BUILDING kishte fitime prej 472 milionë lekësh, me një marzh prej 54%. VIGAND Konstruksion dhe GJOKA KONSTRUKSION, raportuan një normë përkatësisht prej 37 dhe 24%.
Edhe ndërtuesit e përqendruar në punimet e infrastrukturës kanë kaluar një vit të mbarë dhe kanë parë jo vetëm rritje të ndjeshme të të ardhurave, por edhe shumëfishim të fitimeve. Arsyet kryesore që kanë ndikuar në përmirësimin e aktivitetit të tyre lidhen me ndërtimin e 5-6 ujësjellësve të mëdhenj, rrugët që po shtrohen në kuadër të projektit të gazsjellësit TAP dhe punimet e infrastrukturës për HEC-et e Devollit, si dhe kthimi i detyrimeve të prapambetura nga qeveria, që është faturuar në 2015-n. Rritja e fitimeve ka qenë e fortë për pothuajse të gjitha kompanitë në listë.
Ndërsa kompanitë e infrastrukturës fituan mesatarisht 10-20%, marzhin më të lartë e kanë subjektet që ndërtojnë banesa rezidenciale, me normë deri në 50%.
Shqipëria vlerësohet të ketë pasur një bum në sektorin e ndërtimit edhe për vitin 2016, duke qenë se lejet e dhëna panë rritjen më të madhe në rang europian. Sipas të dhënave të Eurostat, numri i lejeve ndërtimit shënoi rritje mesatare në vendet e Bashkimit Europian në vitin 2016 me 10.3%, ndërsa në Shqipëri sipas të dhënave të INSTAT, numri i lejeve të ndërtimit në vitin 2016 pati pothuajse një trefishim ose një rritje me 167%.
Kapitalet e lira po orientohen sërish në ndërtim. Sipërmarrësit po rendin drejt ndërtimit të kullave në kryeqytet, në kuadër të planit të ri rregullues të Tiranës, duke rrezikuar krijimin e një mbioferte në tregun e pasurive të paluajtshme, si për apartamente banimi, zyra, hotele e sidomos për hapësira tregtare.
Ndërtimi është një sektor që ka kthim relativisht të shpejtë dhe të lartë, duke bërë që kapitalet e lira preferohen të orientohen drejt këtij sektori sesa në industri përpunuese, që ka më tepër andralla dhe fitime më të ulëta. Arben Dervishi i Shoqatës së Bankave, thotë se në sektorët e tjerë, norma e fitimit është e vogël.
Mundimi i madh i tregtisë, të mëdhenjtë po u marrin tregun të vegjëlve
Tregtia është aktiviteti me të cilin punojnë rreth 110 mijë persona, apo rreth 26% e totalit të të punësuavve në kompanitë private apo shtetërore në vend. Biznesi klasik i shitjes dhe blerjes po shkon drejt formalizimit dhe orientimit në zinxhirët e mëdhenj të tregtimit. Në vitin 2016, numri i ndërmarrjeve në tregti, me mbi 50 punonjës arriti në 129, nga 101 që ishte vitin e mëparshëm.
Megjithatë, të vegjlit vijojnë të mbizotërojnë, ku 42 mijë ndërmarrje kanë nga një deri në katër punonjës.
Kthimi nga tregtia është mesatarisht 6.9% nga 5.1% në 2014-n, si rrjedhojë e përmirësimit të marzhit te bizneset e vogla, por këtu ka ndikuar dhe presioni mbi formalizimin e tyre që sidomos në gjysmën e dytë të vitit 2015 ka qenë mjaft i lartë.
Norma e fitimit tek të vegjlit në tregti luhatet në rreth 12%, nga 9.6% në 2014-n.
Edhe ndërmarrjet me mbi 50 punonjës kanë qenë më eficiente, teksa kthimi nga aktiviteti i tyre u rrit në 5.2%, nga 3.55 vitin e mëparshëm.
Tregtia me pakicë vijon të ketë normë fitimi më të lartë, në rreth 8.5%, ndërsa ajo me shumicë e ka 6.3%.
Industria përpunuese
Pasi rezultoi me humbje në 2014-n, si rrjedhojë e humbjeve të mëdha të rafinerive, industria përpunuese u është rikthyer fitimeve në 2015-n. Marzhi total i sektorit ishte 6.6%.
Brenda industrisë përpunuese, sektori që ka normat më të larta të fitimit është ai i letrës dhe shtypshkrimit, me rreth 19%. Megjithatë, ky është një sektor me peshë të ulët në ekonomi, teksa ka vetëm rreth 4 mijë të punësuar.
Tekstilet janë një industri me peshë, me rreth 21 mijë të punësuar, që kanë arritur të kenë ecuri të kënaqshme gjatë vitit 2015. Norma e fitimit ishte rreth 13%, ndonëse me një rënie në raport me vitin e kaluar, kur kthimi nga të ardhurat ishte 15%.
Lëkurët dhe këpucët, me rreth 19 mijë të punësuar, kishin një normë fitimi prej gati 10%. Si tekstile, ashtu dhe këpucët shfrytëzojnë në Shqipëri krahun e lirë të fuqisë punëtore dhe janë industri me kapital intensiv pune, teksa shpenzimet e personalit zënë mesatarisht mbi 40% të totalit.
Në industrinë e pijeve, ushqimeve dhe duhanit, ku konkurrenca është e fortë nga importi, norma e fitimit ishte 7.6%. Më mirë paraqitet industria e drurit dhe mobilieve, me 9.6%.
Transporti, informacioni dhe komunikacioni
Sektori i “Transportit, informacionit dhe komunikacionit” ka pasur vit jo të mbarë në vitin 2015. Norma e fitimit në total ka rënë nga 8.3% në vetëm 1.9%. Për gjithë sektorin, kjo i dedikohet aktivitetit me humbje të raportuar nga “Telekomunikacioni dhe transmetimi i programeve”. Kompanitë e telekomunikacionit kanë arritur në një fazë maturimi dhe për më tepër shtimi i konkurrencës nga rritja e operatorëve në treg vitet e fundit e ka bërë të vështirë daljen me fitime të larta siç ndodhte dikur.
Aktiviteti më fitimprurës brenda këtij grupi është ai i postës dhe magazinimit, me një marzh prej gati 23%, i ndjekur nga shërbimet e informacionit, me rreth 21%. Aktiviteti i publikimeve mbetet një kategori fitimprurëse, me një kthim prej gati 11%. Më pak fitimprurës është transporti, me normë fitimi 8.5%./ Monitor