Pas aksidentit të ndodhur në Vlorë ku humbi jetën një 18 vjeçar në rrugën e Lungomares dhe akuzave të familjarëve të tij për firmën e ndertimit që po kryen punimet, një tjetër rast tronditës rikthehet në vëmendjen e medias. Bëhet fjalë për një tjetër aksident me të rinj ku humbi jetën djali i shkrimtarit Visar Zhiti, Atjoni ,dhe mbeti i plagosur shoku i tij me të cilën udhëtonte. Firmat e ndërtimit duken të jenë të papërgjegjshme për të sinjalizuar punimet dhe devijimin e trafikut dhe këto gabime në dukje njerëzore përkthehen në jetë të rinjsh të shkëputura në mes. Babai i shokut të Ationit,Leonard Martianini ka ndërhyrë në emisionin Opinion duke sqaruar se aksidenti që i mori jetën djalit të shkrimtarit dhe plagosi djalin e tij erdhi si pasojë e një blloku betoni të vendosur në rrugë.
Martiniani ka treguar skemën zyrtare të policisë se si ndodhi aksidenti tragjik, ku humbi jetën djali i vetëm i poetit Visar Zhiti, si dhe plagosjen shumë rëndë të djalit të tij.
Ai ka treguar me gisht një bllok betoni të vendosur në mes të rrugës, pak a shumë, e ngjashme me gropën e aksidentit të Vlorës.
Martiniani tha se blloku i betonit ishte vendosur në mes të rrugës, për ta ngushtuar, pasi matanë saj po bëheshin disa punime.
Ndërkohë për aksidentin e Vlorës Gazetari i “News 24”, Enrik Mehmeti, i ftuar në emisionin , ka theksuar se aksidenti ka ardhur si pasojë e një grope të hapur në rrugë, për shkak të punimeve për rikonstruktimin e saj.
Mehmeti tha se në orët e vona të natës, ka ardhur një informacion se ka ndodhur një aksident i rëndë në aksin rrugor Vlorë-Uji i Ftohtë, në afërsi të zonës të njohur si Rrapi, kishte rënë në gropë një automjet tip BMW X6.
Ai tregoi se lajmin e ka dhënë për herë të parë, shoferi i automjetit që ka qenë pas makinës së aksidentuar, shoferi ka qenë në gjendje shoku, ndërsa policia ka qenë e para që ka mbërritur në vendngjarje.
“Ai ka nxjerrë nga makina e aksidentuar, qoftë shoferin dhe të aksidentuarin. Nga informacionet e para nga spitali i Vlorës, është bërë me dije se viktima ka mbërritur i vdekur në spital, si pasojë e goditjeve në kokë. Viktima është gjetur në momentin kur ka ndodhur aksidenti me gjysmë trupi jashtë dhe gjysmë trupi brenda në automjet. Ai kishte dalë nga pjesa e përparmë, me një fjalë nga xhami. Ndërsa i plagosuri ka pas një thyerje të parakrahut, të hundës, të legenit dhe shumë dëmtime të shumta”, ka shpjeguar gazetari.