Më 14 mars, presidenti rus Vladimir Putin vizitoi Republikën e Buryatia, një rajon rus me më pak se një milion banorë, shumica e tyre anëtarë të pakicës etnike Buryat.
Buryatia thuhet se dërgon një numër banorësh për të luftuar në Ukrainë dhe ka pësuar shkallën më të lartë të viktimave.
Sipas Kremlinit, punëtorët në Uzinën e Aviacionit në kryeqytetin e Buryatia, e pyetën Putinin se si mund të ndihmonin “të fitonte luftën dhe të sillte paqen”. Duke iu përgjigjur, Putin përsëriti pretekstet e rreme që citoi kur shpalli pushtimin në shkallë të plotë një vit më parë. “Për ne, kjo ka të bëjë kryesisht me luftën për njerëzit tanë që jetojnë në këto territore. Në fund të fundit, kjo është bota ruse. Ata janë një nga ne, pjesë e kombit tonë. Si mund t’i lëmë pas?”
Ai vazhdoi më tej, duke pretenduar se e gjithë popullsia e Ukrainës është “rusishtfolëse”: “Ne nuk u mbështetëm vetëm tek popullsia rusisht-folëse atje (në Ukrainë, i gjithë vendi është rusisht-folës, në fakt.”
Në të gjitha vendet që më parë ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik, përfshirë Ukrainën, rusishtja mbetet një nga gjuhët kryesore, sepse ishte gjuha shtetërore e Bashkimit Sovjetik.
Megjithatë, në Ukrainë, rusisht folësit amtare janë një pakicë. Sipas sondazheve, 34% deri në 47% e popullsisë së Ukrainës përdorin vetëm gjuhën ruse në jetën e përditshme ose e përdorin atë së bashku me gjuhën ukrainase.
Grupi Sociologjik “Rating”, i cili e përshkruan veten si “një nga organizatat më të mëdha” joqeveritare dhe të pavarura kërkimore në Ukrainë, ka kryer studime gjithëpërfshirëse të përdorimit të gjuhës në Ukrainë që nga viti 2012.
Sipas grupit, gjatë 10 viteve të fundit, numri i ukrainasve që thanë se flisnin vetëm rusisht në shtëpi arriti kulmin në 38% në shkurt 2014. Ata që thanë se flisnin rusisht dhe ukrainisht në shtëpi arritën kulmin në 58% në korrik 2012.
Numri i atyre që flasin vetëm rusisht u ul nga 37% në korrik 2012 në 13% në gusht 2022.