Edi Rama jo vetëm që ka konfirmuar se kancelarja gjermane Angela Merkel i ka tërhequr vëmendjen për mungesën e Gjykatës Kushtetuese, por ka thënë se diçka të tillë ia ka komunikuar në prezencë të disa liderve shtetesh.
Por Rama e argumentoi në “Opinion” se Merkel sipas tij ua kishte sqaruar deputetëve të saj se ky ishte produkt i Reformës në Drejtësi, diçka që vetë BE e kishte kërkuar si një kusht për anëtarësim.
Fevziu: Ju ka thënë Merkeli që është e patolerueshme që jeni pa Gjykatë Kushtetuese?
Edi Rama: Merkeli ka thënë një gjë tjetër dhe këtë mund ta them sepse nuk ma ka thënë thjeshtë mua, e ka thënë publikisht, në takimin e Posdamit. Ka qenë prezent kryeministri i Francës, ai polak etj. Ka njerëz tha, sepse i kishte edhe brenda grupit parlamentar të vet dhe një nga betejat që ka bërë Merkel me Grupin Parlamentar, po e them unë çfarë ka thënë: Ka njerëz që më thonë që si mundet ne të hapim negociatat me Shqipërinë kur nuk ka Gjykatë Kushtetuese? Dhe unë tha i them, çfarë i kemi kërkuar ne Shqipërisë për të hapur negociatat? I kemi kërkuar vetingun, të pastrojë sistemin.
Tani tha, nëse Shqipëria do të ishte duke kërkuar të bëhej anëtare e BE, sigurisht që ne nuk mund të bëjmë anëtar një vend që nuk ka Gjykatë Kushtetuese. Por nëse Shqipëria na kërkon që të hapim negociatat, ne do të shikojmë atë që i kemi kërkuar. Dhe nëse nuk ka Gjykatë Kushtetuese, tha, ky është një sukses që ka arritur vetingu që ka pastruar Gjykatën Kushtetuese. Kjo mjafton që ne të themi po negociatat të hapen dhe deri në momentin kur të bëjmë Konferencën e parë qeveritare të plotësohet Gjykata Kushtetuese”