Kryeministri Edi Rama në podkastin “Flasim” me profesorin Selami Xhepa u ndal sot edhe te pjesa e autonomisë financiare të universiteteve që sipas kryeministrit, kushtëzohet nga disa faktorë.
“Ne u kemi dhënë autonominë financiare edhe universiteteve, por kontrolli i performancës është i tillë që nuk e maksimizon efektin që normalisht duhet të kishte autonomia. Kur vjen puna te ministritë, ministria i bën të gjitha! Ndërkohë, ministritë duhet të bëjnë politika dhe kjo sjellë pastaj në nivel të parë të qeverisë, hapësira ku diskutohet dhe projektohet e ardhmja. Është një rendje pas të tashmes, ku rutina luan një rol të madh dhe punohet me një lloj emergjence”, u shpreh kryeministri Rama.
Sipas kryeministrit Rama, pavarësisht se këto fenomene janë përmirësuar si pasojë e monitorimit nga Bashkimi Evropian dhe procesit të integrimit, sërish duhet një riorganizim në raport me sektorët dhe politikat publike.
“Këto janë tre fenomene që pavarësisht se mund të jenë kufizuar në raport me atë që kanë qenë më përpara, janë përmirësuar si rezultat i integrimit dhe monitorimit të Bashkimit Evropian. Këto janë tre pika ku ne duhet të synojmë të rindërhyjmë për të riorganizuar dhe rishpërndarë peshën dhe përgjegjësinë, sepse ndryshe e kemi të pamundur që të kemi një qasje politike, në raport me sektorët dhe politikat publike”, tha kryeministri Rama.