Kryeministri Edi Rama, ka reaguar ditën e sotme në lidhje me mbrojtjen e Lumit Vjosa. Në një reagim në rrjete sociale Rama shkruan se është hartuar Plani i Menaxhimit për Parkun Kombëtar dhe se është gati për t’u konsultuar me publikun, ndërsa ka bërë me dije edhe datat dhe vendin ku do të mbahen dëgjesat publike. Rama shkruan se dëgjesat publike do të mbahen në Fier, Vlorë e Gjirokastër më 22 dhe 23 maj.
Postimi i Ramës:
“Hedhim një tjetër hap të rëndësishëm në mbrojtjen e lumit të Vjosës, i fundmi lum i egër në Europë, ku tanimë është hartuar Plani i Menaxhimit për Parkun Kombëtar si një punë e kujdesshme dhe intensive nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe ekspertët ndërkombëtarë të IUCN, duke qenë GATI për t’u konsultuar në PUBLIK
Është radha e komuniteteve lokale, atyre që jetojnë aty e do t’i gëzojnë të parët frytet e parkut të ri, të bashkojnë zërin në planin për menaxhimin të Vjosës e cila mbrohet si Park Kombëtar në 480 km vijë lumorë, në 12.000 hektarë sipërfaqe, me të tre degët e saj, nga hyrja në territorin e Shqipërisë e deri në grykëderdhje … e për të gjithë ata që i fryjnë një tymi pa zjarr se grykëderdhja e Vjosës është lënë jashtë kufijve të mbrojtjes, e kundërta është e vërtetë, se është dyfish Zonë e Mbrojtur si pjesë e Parkut Kombëtar Lumi Vjosa dhe si pjesë e Peizazhit të Mbrojtur Pishë Poro-Nartë për rëndësinë e jashtëzakonshme natyrore. Dëgjesat publike për ata që dinë të dëgjojnë do të mbahen në Fier, Vlorë e Gjirokastër më 22 dhe 23 maj”.