Vetëm pak orë më parë Prokuroria e Përgjithshme njoftoi se do t’i kërkojë KQZ-së, ndërprerjen e mandatit të deputetëve Dashamir Tahiri dhe Shkëlqim Selami.
Gazeta Panorama ka kontaktuar me të dy deputetët në fjalë, dhe shkruan se ata janë shprehur të habitur me veprimet e Prokurorisë pasi sipas tyre ata nuk kanë fshehur asgjë në formularin e Dekriminalizimit.
“Jam ndaluar për budallallëqe, ndërkohë që këta duhet të merren me trafikantë të drogë dhe kriminelë. Nuk jam arrestuar asnjëherë, jam ndaluar Italia për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Dorëzova patentën shqiptare dhe autoritetet italiane pretendojnë se ajo është false. Këto akuza janë qesharake, mua nuk më kap as ligji i dekriminalizimit me këto. Nuk ka të drejtë prokuroria të kërkojë ndërprerjen e mandatit për këtë akuza”, është shprehur deputeti Tahiri.
Ai akuzohet nga prokuroria se ka në 1995-ën është raportuar nga policia italiane për falsifikim parash, ndërsa në 2009-ën për leje drejtimi të falsifikuar.
Ndërsa deputeti tjetër, Shkëlqim Selami është shprehur se nuk kishte fare dijeni për akuzat dhe se ka marrë pafajësi me vendim të formës së prerë nga autoritetet italiane.
“E kam deklaruar dhe sqaruar çështjen e ndalimit në Itali. Kam marrë pafajësi të formës së prerë dhe nuk e kam fshehur këtë gjë në formular. Më ndaluan në Itali kur shkova për pushime dhe nuk kisha asnjë dijeni. Mora avokat dhe dola i pafajshëm. Nuk kam fshehur asnjë gjë, çfarë ekziston e kam sqaruar nuk e kuptoj se çfarë po bën kështu Prokuroria”, ka deklaruar Selami.
Deputeti akuzohet se është ndaluar me urdhër të Gjykatës së Brindisit në vitin 2006, për pjesëmarrje në një organizatë kriminale që merrej me “Trafikim të qenieve njerëzore”. (D.D/Shuplaka)