Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi i ka kthyer përgjigje PD për cështjen e monitorimit me kamera të qendrave të votimit duke i thënë se po bëhet vlerësimi i mundëshëm i projektit dhe vlerësimi i aspekteve të tij teknike.
Sa i përket cështjeve të tjera si identifikimi elektronik i zgjedhësve, votimi e numërimi përmes përdorimit të sistemeve dhe pajisjeve të teknologjisë së informacionit, projekti për votimin e emigrantëve, ndërtimi i platformave raportuese për veprimtarinë e institucioneve publike si dhe financimi i fushatës janë në proces realizimi.
Celibashi tekson se së shpejti KQZ do të kalojë për miratim aktet normative të cilat kërkojnë kohën përkatëse për draftim.
Letra që i dërgoi më parë PD:
Gjatë diskutimeve në Këshillin Politik që u konkretizuan me Marrëveshjen Politike të 5 qershorit dhe u miratuan me ligj më 23 korrik 2020, palët politike kanë rënë dakord për përdorimin e sistemit të videomonitorimit në qendrat e votimit, si dhe kur bëhet numërimi manual i votave, në VNV-të, për të monitoruar dhe provuar rregullshmërinë e procesit në mjediset e brendshme të tyre. Për këtë arsye, pika 2, e nenit 22 të Kodit Zgjedhor, parashikon që:
“KQZ-ja ka kompetencë të instalojë dhe përdorë sisteme videomonitorimi në qendrat e votimit, si dhe kur bëhet numërimi manual i votave, në VNV-të, për të monitoruar dhe provuar rregullshmërinë e procesit në mjediset e brendshme të tyre. Sistemi i videomonitorimit nuk mund të instalohet në qendrat e votimit në mënyrë të tillë që të cenojë ose të rrezikojë kryerjen në fshehtësi të votimit. Nëse nuk e kryen vetë. KQZ-ja ka të drejtë të prokurorë instalimin ose edhe operimin e sistemit të videomonitorimit”.
Deri në këtë moment nuk rezulton që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të ketë ndërmarrë ndonjë masë për mundësimin e aplikimit të sistemit të videomonitorimit në qendrat e votimit. Në këto kushte, duke besuar plotësisht në vullnetin tuaj institucional për ushtrimin e kësaj kompetence ligjore, Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar kërkon nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që të marrë të gjitha masat për instalimin dhe përdorimin e sistemit të videomonitorimit në qendrat e votimit në zgjedhjet e 25 prillit 2021, duke miratuar sa më parë aktin normativ që e mundëson këtë, si dhe duke parashikuar fondet e nevojshme financiare për implementimin e këtij sistemi.