Shqipëria nis edicionin e tretë me Edi Rejën në krye të saj. I pari, jo nga ndeshja e parë për “Euro 2020”, i dyti në Ligën e Kombeve me ngjitje një ligë më lart dhe i treti do të jetë ky për Kupën e Botës, “Katar 2022”. E nga sa pritet të publikohet ditën e nesërme zyrtarisht nga FSHF-ja, Reja ka bërë jo pak ndryshime.
“Panorama Sport” mëson se për tri ndeshjet e radhës, Edi Reja ka lënë jashtë lojtarë të rëndësishëm të boshtit të kuqezinjve.
SHQIPËRIA E RE-JËS
“Panorama Sport” mëson se emra të rëndësishëm me kontribut të konsiderueshëm në Kombëtare, si Armando Sadiku dhe Odise Roshi, janë ende pa një ftesë. Jo vetëm kaq, por pjesë e ndryshimeve është edhe porta, pasi Alban Hoxha, portieri i Partizanit, pritet të mbesë pa ftesë kësaj here në Kombëtare, njësoj si sulmuesi i Tiranës, Taulant Seferi. Për Shqipërinë, Odise Roshi ka qenë futbollist i rëndësishëm dhe në edicionin e Ligës së Kombeve ishte një nga më rezultativët me golat dhe asistet e tij.
Mesfushori fierak është pjesë e Diosgiorit në Hungari dhe i rikthyer në gatishmëri të skuadrës pas një dëmtimi. Goli historik i Armando Sadikut është i paharrueshëm për të gjithë shqiptarët, e po ashtu golat dhe kontributi me Shqipërinë. Megjithatë, transferimi në Amerikën Latine te skuadra e Bolivarit, duket se ka ndikuar në zgjedhjen e trajnerit Reja, nisur edhe nga forma e mirë e sulmuesve Broja, Manaj, Cikalleshi dhe Uzuni që vijnë të gjithë me gola në këmbë dhe formë mjaft të mirë. Së fundmi, një tjetër ndryshim pritet të jetë lënia jashtë e Alban Hoxhës, portierit të Partizanit.