Pedagogu Rezart Prifti ka qenë i ftuar në studion e lajmeve të Fax News, ku ka folur lidhur me zgjedhjet në Universitete, që pritet të mbahen në 31 Korrik, dhe që kanë paraprirë nga polemika të shumta. Prifti u shpreh se ajo që mungon në zgjedhjet për UT, janë platformat, ku kandidatët sipas tij nuk japin asnjë alternativë për studentët.
“Është një kaos që është shkaktuar nga mosreagimi në kohë i Ministrisë, unë problemin më të madh e kam me pyetjen se pse do të bëhen zgjedhjet tani? Unë sugjeroj që të gjithë këta burra dhe gra të flasin për hallet që ky universitet ka, duhet të ketë një platformë, ne duhet të jemi e kundërta e politikës, si mundet që akademia të dalë me një tepsi, dhe të kërkojë vota.
Studentët mjaft më me ankesa dhe të dalin e të krijojnë platforma me kërkesat e tyre. Çfarë do ti kërkojnë rektorit, të gjithë thonë që jam më i miri, jam më i miri, dhe nuk thonë se çfarë do të bëjnë. Asnjë nuk ka dalë që të thojë arsyet se pse ka dalë që të kandidojë. Unë mendoj se ka për të fituar pala për të paraqitur një platformë, studentët bëjnë mirë që ti mbajnë shënim këto.
Ne jemi reflektim i një gjirizi kulturor të përgjithshëm, e di ça më bën përshtypje mua, se thonë që ka fakultete me një kandidat, shoh pedagog që bëjnë peshkopin në artikulimin publik, që janë të vjetër, mos më bëni dërr dërr dërr, por bëni një platformë dhe kandidoni kundër, futuni mo në zgjedhje, konkuroni. Një nga arsyet se pse nuk ka platforma është pikërisht mungesa e konkurencës”, u shpreh Prifti.
Ndërkohë që pedagogu përmendi edhe akademikun Artan Fuga, që sipas tij në vend që të kritikojë zgjedhjet, do të ishte mirë që të futej edhe vetë në garë, dhe të paraqiste alternativën e tij për të ndryshuar gjendjen në UT.
“Pse nuk konkuron zoti Fuga për zgjedhjet në Universitete, por del e thotë nëpër media problematikat, apo shqetësimet e tij? Hajde o zotëri, bujrum urdhëro dhe futu në zgjedhje. Para 10 vitesh Lubonja vetëm ankohej dhe kur e vendosën në krye të RTSH-së u largua gjatë ditës së dytë, e njëjta gjë vlen dhe me zotin Fuga”, tha më tej Prifti.