Drejtoria e Përgjithshme e tatimeve është ri formatuar së fundmi sipas nevojave më të fundit që paraqet administrimi tatimor. Strukturat e reja vënë fokusin në rritjen e kapaciteteve për grumbullimin e borxhit tatimor, analizimit te të dhënave dhe rimbursimin e TVSH-së.
Burimet zyrtare të tatimeve bënë me dije se draftimi i propozimit të strukturës organizative të administratës tatimore është bërë nën asistencën dhe monitorimin e misionit të FMN-së në Shqipëri.
Tashmë është krijuar një Drejtori për menaxhimin e projekteve që synon përmirësimin e informatizimit të procedurave ekzistuese dhe mundësimin e projekteve të reja që kanë për qëllim thjeshtimin në vijim të procedurave tatimore, dhe garantimin e një aksesi të pandërprerë dhe sa më të thjeshtë të tatimpaguesve në sistemin informatik të tatimeve.
Është krijuar një strukture që do të mundësojë evidentimin dhe shlyerjen e menjëhershme të vendimeve gjyqësore të formës së prerë.
Gjithashtu u krijua strukturimi i njësive dhe strukturave që do të menaxhojnë riskun tatimor, nëpërmjet identifikimit të rrezikut dhe përpunimit të informacionit paraprak për llojet, anatominë, ekspozimin dhe rëndësinë e rreziqeve që shfaqen gjatë zbatimit të detyrave funksionale të DPT-së.
Janë riorganizuar strukturat që do të angazhohen për identifikimin, analizimin dhe mbledhjen e detyrimeve tatimore të papaguara.
U krijua struktura për ndjekjen dhe përmirësimin e procesit të rimbursimit të TVSH-së. U krijua një njësi qendrore për rimbursimet pranë DPT-së. Qasja e ndjekur mbështetet në kritere objektive që e lidhin procesin e rimbursimit me modelin e riskut. Rimbursimi i TVSH-së do të jetë totalisht i informatizuar dhe synon thjeshtimin e procedurave tatimore dhe lehtësimin dhe përmirësimin e klimës me biznesin.
U unifikuan strukturat operacionale dhe përqendrimi i tyre pranë DPT-së, nëpërmjet së cilës synohet realizimi vetëm i kontrolleve dhe inspektimeve të arsyeshme në ambientet e tatimpaguesve dhe thjeshtim të procedurave tatimore.
Drejtoria e Apelimit Tatimor dhe Avokati i Tatimpaguesve nuk janë më pjesë e administratës tatimore qendrore.
Me miratimin e strukturës së re, administrata tatimore ka në organikën e saj 1,569 punonjës, nga të cilët 1,165 janë pozicione nëpunësi civil dhe 404 punonjës me Kod Pune./ monitor