Procesi i rinumërimit të 464 kutive të votimit në qarkun e Tiranës ka zbuluar parregullsi të theksuara në favor të dy partive më të mëdha në vend, PS dhe PD. Të dhënat e deritanishme tregojnë se Partia Demokratike ka përfituar padrejtësisht 241 vota, ndërsa Partia Socialiste 194 vota nga numërimi fillestar i bërë më 11 maj.
Rinumërimi po kryhet me vendim të dy anëtarëve të KAS-it dhe ka nxjerrë në pah diferenca të rëndësishme që nuk i shkojnë pritshmërive të opozitës.
Koalicioni “Shqipëria Bëhet” është subjekti i tretë me më shumë vota që pritet t’i hiqen – gjithsej 28 – ndërsa Partia Socialdemokrate humbet 22 vota.
Nga ana tjetër, dy koalicione më të vegjël pritet të përfitojnë vota pas rinumërimit: koalicioni i Lulzim Bashës i cili do të rifitojë 10 vota dhe ai i Dashamir Shehit me 7 vota më shumë.
Procesi i rinumërimit ka rihapur debatin mbi standardet e administrimit zgjedhor dhe rolin e numëruesve partiakë në deformimin e rezultatit.