Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani ka deklaruar se partia e tij nuk tërhiqet nga votimi elektronik për zgjedhjet e 18 qershorit.
Në një intervistë për televizionin “Ora News”, Ristani u shpreh se votimi elektronik zgjidh të gjitha problematikat e procesit zgjedhor.
Sipas Ristanit, kjo është një betejë e PD-së, e cila do të vijë në pushtet vetëm me zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“PD do të vijë në pushtet me zgjedhje të lria dhe të ndershme. Ne do të bëjmë patjetër zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe vetëm nëpërmjet tyre do të sjellim PD në pushtet. Ne nuk mund të bëjmë thjesht votime, ne do të bëjmë zgjedhje. Kemi bërë në kohën e diktaturës 45 vjet vetëm votime, por zgjedhje nuk kemi bërë. Ne këtë herë nuk do të bëjmë votime, por do të bëjmë zgjedhje.
Votimi elektornik zgjidh problematikat që ne kemi për zgjedhjet. Zgjidh problematikat që ka pasqyruar OSBE/ODHIR, pengon blerjen e votës, pengon fotografimin e votës, korruptimi i komisionerëve, vjedhja e votës së partive të vogla etj.
Kjo është një betejë e opozitës sepse përpara kemi një njeri që nuk do zgjedhje të lira dhe të ndershme prandaj ne kemi thënë që do të jetë e vështirë me Ramën të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme. Por na takon të bëjmë presionin maksimal që edhe njerëzit të binden tek drejtësia e kësaj që po kërkojmë, edhe partnered të binden dhe të gjithë ta ngrejmë presionin që ta detyrojmë Ramën të bëjë zgjedhje të dnershme.”, u shpreh Ristani.
Sipas sekretarit të PD-së, mazhorancës i mungon vullneti për të realizuar votimin elektronik.
“Mungon vullneti nga mazhoranca, sepse tendenca e tyre ajo që ata kanë treguar gjatë gjithë kohës se nuk kanë vullnet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.”, tha Ristani.
Sakaq, Ristani shtoi se i vetmi problem i listave të hapura është vështirësia në procesin e votimit dhe të numërimit. (D.D/Shuplaka)