Ka përfunduar procesi i shkarkimit të kontejnerëve me mbetje të dyshuara toksike nga anija Moliva, që u ankorua një ditë më parë në portin e Durrësit. Ndër të tjera është bërë edhe transporti i kontejnerëve në vendin e përcaktuar në zonën e Spitallës.
Mësohet se tashmë me administrimin dhe magazimin e kontejnerëve, pritet që procedura e radhës të jetë marrja e kampionëve të lëndëve të dyshuara të rrezukshme për t’i dërguar në laborator. Ndërkohë anija Moliva u largua nga porti i Durrësit dhe vijon intenerarin e saj.
Kontejnerët janë vendosur në një hapësirë toke të sekuestruar nga “Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose Konfiskuar”, e cila është përshtatur dhe monitorohet nga kamera.
Nderkaq kujtojme qe përpjekja e kompanisë Kurum për të transportuar dhe magazinuar mbi 2,000 ton mbetje toksike ka shkaktuar shqetësim të madh publik dhe ka ngritur pikëpyetje mbi sigurinë mjedisore dhe shëndetësore. Pas ngarkimit të kontejnerëve me mbetje të dyshuara nga anija Moliva, e cila mbërriti në portin e Durrësit, shqyrtimi i kësaj ngjarje kërkon një vëmendje të veçantë për aspektet ligjore dhe mjedisore të këtij transporti.
Pavarësisht deklaratave të autoriteteve për procedurat e sigurisë dhe monitorimin e kontejnerëve, shumë pyetje mbeten ende pa përgjigje, sidomos në lidhje me mënyrën se si u trajtuan këto mbetje gjatë transportit dhe sigurimin e mjedisit rreth Durrësit.
Kontejnerët me mbi 2 mijë ton mbetje nga djegia e hekurit dhe çelikut u nisën nga Porti i Durrësit që nga data e 4 gusht me destinacion final Tajlandën.