Është rrëzuar kërkesa e PS-së për të mos lejuar që të kandidojnë kryebashkiakët që kanë tre mandate në detyrë.
Kështu nuk ekziston asnjë pengesë ligjore tashmë për të ndaluar Vangjush Dakon, Qazim Sejdinin apo Adriatik Zotkën e PS-së që të kërkojnë një mandat tjetër në zgjedhjet e Qershorit. Po ashtu në radhët e demokratëve janë të lirë të rikandidojnë dhe Xhelal Mziu dhe Fiqiri Ismaili si dhe Zef Hila.
Lidhur me këtë çështje ka pasur diskutime të shumta sot në KQZ, ndërsa ai që ka bërë diferencën është kryetari Klement Zguri, i cili ka votuar kundër kërkesës së socialistëve. Duke qenë se ishte udhëzim, kërkoheshin 5 vota unanime për tu kaluar.
Duket te Ramës i ka dështuar skema që të largojë Dakon me ligj, duke bërë që të vendosin strukturat për më tej.
Ligji për qeverisjen vendore i ndryshuar në vitin 2015, e përcakton se kryetari i Bashkisë mund të ushtrojë vetëm tre mandate të njëpasnjëshme në krye të bashkisë. Dhe mund të ketë të drejtë të rikandidojë vetëm pas një shkëputjeje, pra jo më shumë se tre mandate njëra pas tjetrës.
Ndërkohë edhe pse ligji ka ekzistuar, interpretimet që i janë bërë prej kryebashkiakëve, kanë qenë të tilla që i hapnin shteg kandidimit të tyre, pra të kryetarëve me më shumë se 3 mandate, edhe në këto zgjedhje të 2019-ës. Sipas tyre, ligji hyn në fuqi në momentin që është miratuar (2015), dhe nuk ka fuqi prapavepruese.
(E.K/FAXWEB.AL)
Discussion about this post