Bizneseve që u është dashur të marrin kredi në banka gjatë muajit Janar, janë përballur me hua më të shtrenjtë, qoftë në lekë ose në euro. Referuar statistikave të Bankës së Shqipërisë, norma mesatare e interesit e huave të reja në lekë për korporata jofinanciare publike dhe private në lekë ishte 7.51%, nga rekordi minimal i 5.32% që kishin zbritur në dhjetor.
Rritje kanë pësuar kredia për blerje pajisjesh nga 6.52%, në 7.94% dhe kreditë për biznesin në dollarë nga 5.69% në dhjetor në 6.95 në janar.
Pozitiv është fakti që kanë pësuar ulje huatë e reja për çelje biznesi gjatë muajit janar që kanë rënë në 6.8%, nga 7.47% në 2016-ën dhe huaja për biznese për pasuritë e paluajtshme, nga 6.04% në 5.45%. Në euro interesat janë ulur lehtë, nga 4.98 në 4.72%.
“Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, stoku i huasë për ekonominë, në fund të dhjetorit ishte 546.7 miliardë lekë, nga 567.8 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Janari ka vijuar me tkurrje, teksa stoku ka zbritur në 545 miliardë lekë.”, bën me dije “Monitor”.
Ky reduktim i huasë rezulton të ketë ardhur nga valuta, e cila është kryesisht në euro. Referuar këtyre statistikave, stoku i kredisë në valutë në janar 2017 ra me 6.3% në 286 miliardë lekë. (XH.A/SHUPLAKA)