Për rritja e çmimit të ujit të pijshëm në Tiranë që u miratua nga bashkia mbrëmjen e djeshme Lulzim Basha ka sulmuar LSI-në dhe PDIU-në. Sipas tij këshilltarët e tyre janë një grusht politikanësh të korruptuar që iu bashkuan pazareve të Ramës.
“Pazareve të Edi Ramës dhe veglave të tij në krye të Bashkisë Tiranë për të dyfishuar çmimin e ujit dhe për të miratuar koncesionet klienteliste të shkollave iu bashkuan dje edhe PDIU dhe LSI.
Është i njëjti grusht politikanësh të kapur dhe të korruptuar që nuk ka asnjë mëshirë për të rrëmbyer çdo qindarkë nga xhepat e qytetarëve. Loja e tyre vazhdon njësoj si më parë, vetëm se tani në role të reja.
PD është e vetmja forcë në krah të njerëzve, por ne jemi të e fortë dhe të vendosur për të luftuar për ta. Ne nuk do të ndalemi dhe nuk do të heshtim asnjëherë në mbrojtje të interesave të qytetarëve.”, shprehet Basha.
Sjellim në vëmendje që mbrëmjen e djeshme këshilltarët e PD-së kanë bojkotuar mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Por me largimin e tyre, si edhe të këshilltarëve të LSI-së nuk plotësohej kuorumi për t’u zhvilluar mbledhja.
Mirëpo ndërkohë që këta debatonin, në sallë u rikthyen Agim Kraja dhe Genta Mezini nga LSI-ja. Bashkë me këta, numri i anëtarëve të pranishëm në mbledhjen e Këshillit shkonte në 31, duke plotësuar kështu kuorumin dhe u miratua rritja e çmimit të ujit. (J.V/Shuplaka)