Ministri i Financave Arben Ahmetaj deklaron se nga muaji mars, rreth 90 mijë punonjës të administratës publike përfitojnë nga vendimi i Qeverisë për rritjen e pagave.
I ftuar në emisionin “Të bësh ekonomi”, Ahmetaj tha se rritja e pagave për punonjësit e administratës publike ka ardhur si rezultat i reformave të suksesshme të ndërmarra nga qeveria. Sipas ministrit, kjo rritje parashikohet edhe për institucionet e drejtësisë.
Ndër të tjera ministri ka folur edhe mbi lajmin për 1300 kontenierët e humbur me lëndë kimike të nisura nga Italia drejt Shqipërisë. Sipas tij, nuk ka tranzit të lëndëve të rrezikshme nga Italia në Shqipëri.
BASHKËBISEDIMI ME GAZETAREN
Sa është numri i të gjithë administratës publike?
Numri i përfituesve është 90 mijë, duke përfshirë edhe punonjësit e njësive vendore që janë punonjës në kuadrin e funksioneve të deleguara nga pushteti vendor, janë 80.500 në administratën qendrore. Punonjësit e administratës vendore përfitojnë rritje page në nivelin 7%.
Të cila kategori është vendosur rritja më e lartë e pagës?
Në përqindje, rritja më e lartë bëhet për nivelin e ulët të pagave të administratës, shkon deri në 36 %. Duke filluar nga paga e marsit, që merret në prill, nuk do të ketë pagë nën 30 mijë lekë. Kjo fashë nuk janë punonjës me status të nëpunësit civil, janë të shërbimeve mbështetëse shumica. Ndërsa për pjesën e specialistëve, mesatarja është 10 %. Në të njëjtën masë përfitojnë arsimtarët, punonjësit e mjekësisë. Policia prej 2016 përfitoi rritje page, që sigurisht e meriton. Brenda rritjes janë edhe policia e burgjeve. Diplomatët përfituan rritje. Dua të theksoj se brenda reformës në drejtësi, ne kemi alokuar një shumë të caktuar e cila do duhet të konsumohet më pas në favor të sistemit të drejtësisë menjëherë sapo të zbatohet vettingu, e me radhë institucionet e tjera. Marzhi i rritjes në drejtësi, për disa institucione arrin edhe 100 %.
Përse kjo rritje u vendos tani në mars, dhe jo në muajin janar?
Së pari duhej rakorduar me FMN. Marrëveshja u mbyll në 24 shkurt. Megjithëse negociata ka filluar që me hartimin e buxhetit 2017, monitorimi do duhej të vazhdonte për disa muaj.
Si e bindët FMN, pas gjithmonë ju ka rekomanduar që mos bëni stimuj fiskalë?
Ky nuk është stimul fiskal. Ka qenë shumë e vështirë për të bindur FMN për bindjen e pagave dhe pensioneve. Kemi patur gati 2 muaj negociata. I kam filluar negociatat që në tetor. Kanë qenë debate të ashpra. Tensioni ka qenë maksimal, por për shkak të suksesit në mbledhjen e të ardhurave, të konsolidimit serioz fiskal, për shkak të reformave, u arrit kjo. 120 milionë dollarë është shuma që ka ngelur në xhepat e qytetarëve për një vit vetëm nga ndryshimi i taksës, nga e sheshtë në progresive. Për katër vjet, 480 milionë dollarë është efekti i ndryshimit të politikës fiskale. Rritje nominale si kjo ne kishim tre vite që nuk kishim bërë. Por mos harroni se ne morëm një shtet të falimentuar. 2013 ishte falimentim tipik i shtetit.
Si u bë e mundur rrija e pagave?
Rritja e pagave u bë e mundur për shkak të një numri reformash që funksionuan. Në aspektin real është hera e dytë që ne rritim pagat, dhe në aspektin nominal hera e parë. Me taksën progresive iu dha mundësi rritje page shqiptarëve.
Ka ndonjë kategori të përjashtuar?
Nuk ka asnjë të përjashtuar nga rritja ekonomike. Përfitojnë të gjitha kategoritë.
Ju keni thënë që edhe në nivel vendor do të ketë rritje të pagave, por kjo do kushtëzohet nga rritja ekonomike e bashkive?
Kjo është bërë me qëllim që të mundësohet pavarësia e këtyre pushteteve. Bëhet fjalë për funksionet e deleguara. Por edhe për këtë pjesë ka mbështetje nga buxheti i qeverisë.
Është diskutuar edhe paga minimale për sektorin privat. Çfarë është vendosur?
Paga minimale është një debat sa teknik, aq edhe politik e social. Shoqatat do të kërkojnë të rrisin pagën minimale. Është qeveria do që të rritë pagën minimale. Po kjo është një konsekuencë e rritjes së efikasitet të fuqisë punëtore. Ne mendojmë të ecim në trendin e rritjes vjetore të pagës minimale.
Janë rritur çmimet e konsumit; sa është efekti i rritjes së pagës?
Çmimet e konsumit ndjekin logjikën e tregut të brendshëm dhe atë global. Inflacioni është 2% dhe është i shëndetshëm. Kur inflacioni është i ulët nën 1%, tregon se ekonomia ka puls të dobët; kur ekonomia shkon me inflacion mbi 4%, mund të ketë një nxehje. Çmimet globale të energjisë dhe të lëndëve të para ranë për shkak të uljes së kërkesës dhe u importuan me çmime që binin ose ishin në standard.
Si do të mblidhet taksa e pronës ?
Taksa mbi pronën është nga më të rëndësishmet dhe përbën një të ardhur të rëndësishme për buxhetin. Nuk po flasim për një taksë të re, nuk po ndryshojmë as nivelin e taksës por po theksojmë se duhet një mirëadministrim dhe po fillojmë punën nga kadastra fiskle. Kemi një marrëveshje me OSHEE dhe katër bashkitë. Qëllimi i aksionit është që në një periudhë X bashkia të ketë kadastrën fiskale të pronës. Le të themi që në ZRPP ka akoma paqartësi për m2 , bashkia nëpërmjet këtij aksioni dhe këtij pyetësori do të mbledhë të dhënat. Ligji i taksës mbi pronën nuk ka ndryshuar dhe nuk ka një vendimmarrje për të ndryshuar mënyrën e taksimit. Pronat në proces legalizimi do të paguajnë taksë mbi pronën.
A ka Ministria e Financave të dhëna për hyrjen e lëndëve të rrezikshme në Shqipëri?
Ka një përgjigje nga inteligjenca e doganave italiane për ato shqiptare se nuk ka tranzit të lëndëve të rrezikshme nga Italia në Shqipëri. Është kryer kontrolli edhe me Maqedoninë, dhe ka rezultuar vetëm një kamion me mish nga Uruguai dhe është kthyer mbrapsht. (D.D/Shuplaka)