Liderët e vendeve të NATO-s mblidhen në Hagë më 24-25 qershor për samitin e përvitshëm të aleancës, dhe në agjendë është pothuajse vetëm një gjë: Shpenzimet për mbrojtje. Vendet anëtare janë pajtuar të dielën për t’i rritur shpenzimet për mbrojtje në 5 për qind të bruto-prodhimit të brendshëm – kërkesë e presidentit amerikan, Donald Trump, i cili ka kërkuar më shumë kontribut prej vendeve anëtare të aleancës.
Spanja ka tentuar të bllokojë masën, por ka hequr dorë pasi vendet tjera i kanë siguruar një përjashtim nga vendimi. Në këtë samit të gjithë sytë janë vetëm te një njeri, presidenti Trump. Në rast se do të marrë pjesë, ndonëse shumica e njerëzve me të cilat ka biseduar Radio Evropa e Lirë besojnë se ai do të jetë aty.
Samiti është dizajnuar për ta bërë presidentin amerikan të ndihet mirë dhe të shmangë ndonjë mungesë harmonie në klub. Kjo pasi ende ekzistojnë shqetësimet për përsëritje të samitit të famshëm të NATO-s, të mbajtur në Bruksel më 2018, kur Trumpi, sa ka qenë në mandatin e parë, pati kërcënuar me tërheqje të SHBA-së prej aleancës veriatlantike, nëse shtetet evropiane dhe Kanadaja nuk i rrisin shpenzimet për mbrojtje në mënyrë të konsiderueshme.
Prej atëherë, shumica e aleatëve i kanë rritur shpenzimet për mbrojtje dhe prekin tani targetin prej 2 për qind, siç janë pajtuar në Uells më 2014. Targeti besohet të jetë rritur për t’iu përshtatur SHBA-së, por edhe për shkak të luftës në Ukrainë.