Sekretari i Përgjithshëm i OKB -së Antonio Guterres dha edhe një herë alarmin sot për mundësinë e një sulmi të ushtrisë izraelite në Rafah , në skajin jugor të Rripit të Gazës , duke nënvizuar se do të përbënte një “përshkallëzim të palejueshëm”.
“Një sulm ushtarak në Rafah do të përbënte një përshkallëzim të palejueshëm, do të vriste mijëra civilë të tjerë dhe do të detyronte qindra mijëra të ikin,” u tha Guterres gazetarëve, duke u bërë thirrje autoriteteve izraelite që të mos ecin përpara me planin e tyre.
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së shtoi se një sulm i tillë do të kishte “një ndikim shkatërrues për palestinezët e Gazës dhe pasoja të rënda për Bregun Perëndimor të pushtuar , por edhe për rajonin më të gjerë”.
“Të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurimit dhe shumë shtete të tjera e kanë shprehur qartë kundërshtimin e tyre ndaj një operacioni të tillë (ushtarak). U bëj thirrje atyre që kanë ndikim në Izrael të bëjnë gjithçka për ta parandaluar atë”, shtoi ai.
Më herët, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u zotua se ushtria e tij do të hyjë në Rafah, pavarësisht nëse arrihet një marrëveshje e përkohshme armëpushimi në Rripin e Gazës. Rafah konsiderohet nga ushtria izraelite si bastioni i fundit i Hamasit në enklavën e rrethuar palestineze.
“Mendimi se do ta ndalojmë luftën para se të arrijmë të gjitha qëllimet tona nuk mund të bëhet fjalë. Ne do të hyjmë në Rafah dhe do të eliminojmë të gjitha brigadat e Hamasit, me ose pa një marrëveshje (armëpushimi), në mënyrë që të arrijmë dominimin total”, u tha Netanyahu të afërmve të pengjeve në Jerusalem.
Një distancë e shkurtër nga kufiri egjiptian, Rafah është shtëpia e gati një milion e gjysmë palestinezë që u larguan nga shtëpitë e tyre për t’i shpëtuar bombardimeve izraelite pas shpërthimit të luftës të shkaktuar nga një sulm i paprecedentë nga Hamasi më 7 tetor.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së shprehu gjithashtu shqetësim të thellë për zbulimin e varreve masive në dy spitalet më të mëdha të Rripit të Gazës dhe u bëri thirrje autoriteteve izraelite të lejojnë një hetim të pavarur.