Një debat mes anëtarëve të opozitës dhe atyre të mazhorancës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ka përfunduar me bojkotimin e mbledhjes nga ana e tre anëtarëve, përfaqësues të opozitës.
Mësohet se Hysenaj, Vera Shtjefni dhe Klement Zguri kanë lënë përgjysmë mbledhjen e organizuar në kuadër të dekriminalizimit.
Shkak është bërë mosmarrja në konsideratë e kërkesës së këtyre anëtarëve për të gjykuar veçmas verifikimin e formularëve të kryebashkiakëve Tërmet Peçi dhe Adriatik Zotkaj. Kërkesë që nuk është marrë në konsideratë nga anëtarët e tjerë të KQZ-së.
“Thirrët njerëz që nuk kanë arsye të jenë këtu.”, mësohet të ketë thënë gjatë debatit anëtari Klement Zguri. “Dekriminalizimi sot ka marrë goditje të rëndë”, është shprehur Vera Shtjefni.
“Kemi përzier krimet penale me gabimet e Gjendjes Civile. Çdo vendim që merret sot është nul”, ka deklaruar Hysenaj.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u mblodh sot për verfikimin e disa formularëve, në total për 21 zyrtarë, 13 deputetë dhe 8 kryebashkiakë. Ndër ta edhe për Tërmet Peçin dhe Adriatik Zotkaj, për të cilët Prokuroria kërkoi heqje të mandateve.
(XH.A/SHUPLAKA)