Se ndëshkohesh nga ligji kur kryen ndërtime nga ligji e dinim, por që të dënoheshin edhe ata me leje, këtë s’na e kishte marrë mendja.
Emisioni investigativ “STOP” ka publikuar rastin e një familjenë Bregun e Lumit, të cilës INUK i arrestoi djalin dhe i ndërpreu punimet, edhe pse e kishin marrë një leje ndërtimi.
Djali u mbajt padrejtësisht për tre ditë rresht, edhe pse nuk kishte kryer ndonjë vepër penale.
Megjithatë ka edhe raste si ai i Ardian Halilajt, i cili jo vetëm ndërton pa leje por edhe prek hapësirën e fqinjes.
Kjo e fundit, Shpresa Braho pasi nuk e gjeti të drejtën në zyrat e shtetit, iu drejtua emisionit investigativ “STOP”.
“Jam banore e këtij pallati dhe jetoj prej 18 vjetësh. Para një viti vjen një banor i ri, që quhet Ardian Halilaj dhe prish strukturën e ballkonit të tij dhe zgjerohet duke u futur në dritaren e shtëpisë time. Përveçse më ka prekur privatësinë time, sepse më vjen në dritare, gjithashtu në murin tim ka vendosur dy kondicionerë duke më përçuar lagështirë. Në momentin që zotëria prishi murin ekzistues të ballkonit të tij dhe e zgjeroi duke e futur brënda edhe dritaren e shtëpisë time, unë njoftova policinë. Ajo për momentin i ndaloi punimet dhe më drejtoi drejt IKMT-së. Kjo e fundit u njoftua, erdhën, por zotëria i vazhdoi punimet i pashqetësuar. Më pas iu drejtova edhe bashkisë me një letër ankuese, e cila më ktheu një përgjigje, që nuk të prek privatësinë tënde. Duke mos gjetur zgjidhje në asnjë zyrë të shtetit iu drejtova emisionit “STOP” për të gjetur një zgjidhje për problemin tim.”, shprehet zonja Shpresa Braho.
Avokati Roland Xhindi i cili ka ndjekur çështjen në fjalë, sqaron se është ankuar pranë Bashkisë së Tiranës dhe IKMT-së, por sipas tij bashkia s’ka të drejtë të ndërhyjë kur ndërtimi ka përfunduar.
Ndërsa kryeinspektori i Policisë Bashkiake Sokol Mezini, thotë se Halilaj është gjobitur me 1 milionë lekë të vjetra dhe detyrimin për të prishur strukturën e paligjshme.
“Zoti Halilaj ka bërë një shkelje, e cila donte të paktën një leje për të bërë atë veprim që ka bërë. Ka hequr kangjellat mbrojtëse të ballkonit të tij. Ai nuk disponon një letër të tillë dhe janë marrë masa administrative, siç thotë ligji pra ka marrë një gjobë në vlerën 100 000 lekë të reja. Në rast se ai nuk e rregullon, ligji thotë dyshifin e detyrimit dhe vendosjen siç ka qenë struktura e fasadës.”, shprehet Mezini.
Ai shton se nëse Halilaj nuk do ta prishë strukturën e paligjshme, do ta bëjë bashkia me shpenzimet e veta, por ky i fundit do të marrë faturën. (D.D/Shuplaka)