2 persona janë arrestuar pasi shisnin doza kokaine në një berberhane në Kavajë. U vunë në pranga shtetasit Muhamed Sinka dhe Xhavit Llulla.
Njoftimi i policisë:
‘Shitnin doza kokaine, në një berberhane në lagjen nr. 6, arrestohen në flagrancë pronari i subjektit dhe 1 shtetas tjetër.
Pas një hetimi të kryer nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, në kuadër të megaoperacionit kombëtar antidrogë të koduar “Tempulli”, u kapën në flagrancë dhe u vunë në pranga shtetasit Xhavit Llulla 28 vjeç dhe Muhamed Sinka,28 vjeç, të dy banues në Kavajë.
Në subjektin (berberhane) në pronësi të shtetasit Xhavit Llulla, shërbimet e Policisë gjetën një sasi kokaine, të ndarë në dhjetëra doza, me qëllim shitjen, si dhe 1 peshore elektronike që shërbente për këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.’, thuhet në njoftimin e policisë.