Policia e Tiranës, në kuadër të me operacionit antidrogë të koduar ”Decline”, ka sekuestruar 276.6 gramë lëndë narkotike e dyshuar “Kokainë” dhe në pranga ranë në flagrancë 4 shtetas.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative kanë goditur një tjetër rast duke finalizuar me sukses operacionin e koduar ”Decline”.
Janë arrestuar në flagrancë shtetasit:
Azis Meta, 35 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar për “Trafik armësh dhe lëndë narkotike”
Përparim Kalbaj, 46 vjeç, banues në Tiranë.
Aleks Kanaçi, 35 vjeç, banues në Berat.
E.B, 23 vjeçe, banuese në Tiranë.
Në rrugën “Nikolla Jorga”, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative që dispononte Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në drejtim të goditjes së veprimtarisë të kundraligjshme në fushën e narkotikëve, ka rezultuar se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kryenin aktivitetin e kundraligjshëm të shitjes së lëndëve narkotike të dyshuar të llojit “Kokainë” në sasi të vogla personave të ndryshëm në zonën e “Bllokut”.
Shtetasit e lartpërmendur lëviznin me dy automjete.
Gjatë kontrollit fizik shtetasve të mësipërm iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
276.6 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit “Kokainë”.
Gjithashtu janë sekuestruar në cilesinë e provës materiale:
2 automjete
7 telefona celularë
Materialet proceduriale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore për veprat penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike në bashkëpunim” të parashikuara nga neni 283/2 i Kodit Penal në ngarkim të shtetasve Përparim Kalbaj, Aleks Kanaçi Azis Meta dhe E. B.
(E.K/FAXWEB)