Gazetari Sokol Shameti reagon ashpër pas shkarkimit të kompozitorit dhe muzikantit të njohur David Tukiçi nga posti i drejtorit artistik të Orkestrës simfonike të RTSH-së.
Nëpërmjet një postimi tejet ironik, Shameti shprehet i zhgënjyer dhe i quan drejtuesit e RTSH-së “kërminj dhe insekte”.
“E pushuan edhe David Tukiçin nga puna në TVSH. U duhej rroga e Davidit që të paguajnë pocaqitë që na shesin për programacion. Që të prodhojnë “spektakle” si ai i Festivalit të fundvitit. Që të paguajnë drejtorë kërminj si ata që i kanë kthyer lajmet e kanalit të vetëm publik në “enciklika” të Rilindjes. U prishte punë Davidi këtyre insekteve që emigrojnë si molë brejtëse nga media në media duke shkretuar dhe bastisur deri në faliment çdo vend ku ngulin kolonitë e tyre.”, reagon Shameti.
David Tukiçi kishte marrë drejtimin Orkestrës Simfonike që në tetor të vitit 2010, ndërsa kishte nisur punë në RTSH që në vitin 1983, por vetëm katër vjet para se të arrinte moshën e pensionit, shkarkohet, në valën e riorganizimit që po i bëhet institucionit.
Lajmi për shkarkimin e tij u bë i ditur përmes një letre mjaft prekëse nga vëllai i tij Genc Tukiçi, gjithashtu muzikant dhe pianist.
Përpara Tukiçit, nga puna u shkarkuan edhe kompozitorë të tjerë të njohur si Saraçi, Kaçinari apo Zhulali. (D.D/Shuplaka)