Është shkarkuar nga detyra gjyqtari Gani Dizdari, ky ka qenë vendimi i dhënë sot nga ana e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Gaani Dizdari, ishte gjyqtari i fundit nga Gjykata Kushtetuese që kalon në sitën e “Vettingut’’.
Ka qenë pasuria e pajustifikuar e vajzës së tij ajo që ka bërë që Dizdari të shkarkohet nga sistemi i drejtësisë.
Sipas KPK Dizdari ka 30 ditë kohë që të mund të apelojë këtë vendim të dhënë sot, që e përjashton atë për të paktën 15 vite nga sistemi i drejtësisë. Me shkarkimin e tij Gjykata Kushtetuese del tërësisht jashtë funksionit të saj.
“Subjekti ka deklaruar apartament banimi 94.7 metra katrore i privatizuar, apartament banimi ne Gjirin e Lalezit, tokë arë në Bathore,” u konstatua në KPK.
“Në lidhje me një apartament të blerë nga ish-bashkëshortja rezulton se nuk ka patur të ardhura të mjaftueshme për blerjen e këtij apartamenti.
Gjyqtari Gani Dizdari ka probleme me pasurinë e së bijës. Vajza e Dizdarit ka blerë një apartament 73 mijë euro. Vajza deklaron se ka marrë 2 hua për apartamentin. Personat që i kanë dhënë hua, pa të ardhura të mjaftueshme,” thuhet në KPK.
Gjithashtu Komisioni konstatoi se “Dizdari ka kontakte të pa përshtatshme me shtetasin A.L. i dënuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm”. Gjatë seancës së vetingut u tha se Dizdari ka udhëtuar me makinën e shtetasit A.L. jashtë vendit. Por avokati i tij tha se ka lidhje familjare me këtë shtetas.
(E.K/FAXWEB.AL)