Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Rada Trajkoviq, e cila në zgjedhjet e fundit ka qenë kandidate për deputete nga radhët e koalicionit serb “Sloboda”, ka shokuar me deklaratën e saj kur tha se jeta e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe nënkryetares të LDK-së, Vjosa Osmani, mund të jetë në rrezik.
Trajkoviq, tha se shqetësimet e saj kanë të bëjnë me atë që të gjithë qytetarët e Kosovës po i shqetëson, e kjo është ndarja me koalicionin e luftës.
”Sado që kjo do të jetë diçka e pabesueshme për publikun serb, ky është shqetësimi i një gruaje serbe nga Kosova për ndryshimet në Kosovë”.
Ajo mendon se siguria e Kurtit dhe Osmanit do të jetë e cenuar, për të mos thënë e kërcënuar.
“Jeta e Albin Kurtit dhe e Vjosa Osmanit është e kërcënuar. E them këtë për angazhimin e vendosur të Kurtit për të luftuar krimin, për betejë, të paktën përmes një fushate, me njerëzit në listën e gjykatës së Hagës për Kosovën, dhe në këtë aspekt shkëputjen me krimin që e lidh rajonin”, ka shtuar më tej ajo.
E pyetur sesi do të ndikojë fitorja në zgjedhje e Kurtit në jetën e serbëve në Kosovë, Trajkoviq tha se luftimi i kriminalitetit do të sillte lehtësim edhe në jetën e vetë serbëve.