Ditën e djeshme një 16-vjeçar me iniciale D.J i dha fund jetës së tij me armë zjarri. Motivi i kësaj ngjarjeje të rëndë është ende e mistershme. Ngjarja e rëndë u zbulua mbrëmjen e së dielës, rreth orës 22:35, në fshatin Fushë- Dukat.
16-vjeçari ka qenë vetëm në shtëpi kur kreu aktin e vetëvrasjes dhe ndërsa trupi është gjetur nga prindërit e tij, pasi ata ishin kthyer nga Tirana, shkruan një portal online.
Prindërit e 16-vjecarit ndodheshin në në kryeqytet për shkak se kishin vajzën e sëmurë, ku ishin nisur të dielën që në mëngjes për ta çuar për një kontroll mjekësor. Por 16-vjeçari i vetëm në shtëpi është vetëvrarë me një armë gjahu, çifte.
Ngjarja:
Aktin e rëndë adoleshenti e kreu në objektin ngjitur me banesën, që shërbente si kasolle për bagëtitë e imta dhe prindërit kur kanë mbërritur në banesë dhe nuk e kanë gjetur të birin brenda, ata kanë provuar ta telefonojnë, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje.
Ndodhur në këto kushte, ata kanë nisur ta kërkojnë përreth shtëpisë dhe më pas kanë shkuar në kasollen e bagëtive, ku janë përballur me skenën e rëndë. Ata sinjalizuan menjëherë policinë, e cila mbërriti në vend dhe kreu veprimet e para, pasi fillimisht u dyshua për një vrasje të mundshme.
Pas veprimeve të kryera, janë hedhur dyshime se 16-vjeçari i ka dhënë fund jetës. Tashmë grupi hetimor po kryen hetimet për sqarimin e rrethanave dhe për zbulimin e shkaqeve të ngjarjes. Policia ka marrë në pyetje familjarët dhe të njohur të viktimës, por ata nuk kanë ditur të japin një shkak të mundshëm që mund ta ketë shtyrë atë drejt vetëvrasjes.
Sipas tyre, në ditët e fundit nuk kishin vënë re as ndonjë shenjë mërzie tek ai, çka mund të çonte në dyshimin për një shkak të mundshëm që mund ta ketë shtyrë drejt aktit të vetëvrasjes. 16- vjeçari ishte në vitin e parë në gjimnazin e Orikumit.
Shokët e tij të klasës janë marrë në pyetje dje, por ata kanë ngritur supet për ngjarjen, pasi sipas tyre nuk ishin në dijeni të ndonjë shqetësimi të tij. (J.V/Shuplaka)