Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazement Bardhi ka folur ditën e sotme për shoqërimin në mënyrë të detyruar të kryedemokratit Lulzim Basha në Prokurori në datë 20 qershor.
Ai është shprehur ndër të tjera se Basha është i hapur ndaj Prokurorisë por dhe fakteve.
“Do të preferoja që pas përgjimeve që tregojnë inkriminimin e kryeministrit të shtrohej pyetja kur do merret i pandehur Edi Rama? Kjo është pyetje që duhet të bëjë çdo shqiptar. Zoti Basha është i hapur ndaj çdo hetimi të Prokurorisë edhe pse të gjitha faktet provojnë se këtu nuk ka drejtësi të pavarur, ai ka shprehur gatishmërinë të paraqitet sa herë e thërrasin”,- u shpreh Bardhi.
Ndërkohë Bardhi u është përgjigjur pyetjeve ditën e sotme gjatë konferencës për shtyp ku doli sëbashku me Enkeled Alibeaj dhe Çlirim Gjatën për përgjimet e ‘Bild’.
Vlen për tu theksuar se Prokuroria e Tiranës ka vendosur shoqërimin e detyruar të Lulzim Bashës në seancën e radhës së datës 20 qershor pasi ai nuk është paraqitur në prokurori disa herë lidhur me lobimin në SHBA.