Kreu i Gjykatës së Vlorës, Skënder Haluçi në një deklaratë të bërë për mediat, e ka quajtur një ngjarje të shëmtuar shpërthimin me tritol të makinës së prokurorit Albert Kuliçi, ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në Vlorë.
“Ngjarja është e shëmtuar, ka lidhje me detyrën që kryen prokurori, ne po punojmë për zbardhjen e plotë të saj”, deklaroi Halluçi.
Ndërkohë që i pyetur nëse ndihej i kërcënuar në detyrën e tij, Halluçi tha se qytetarët duhet të qendrojnë të qetë, pasi gjykata dhe prokuroria janë duke ushtruar në mënyrë të drejtë detyrën e tyre.
“Nuk ndihem i kërcënuar, ka burra në prokurorinë dhe gjykatën e Vlorës që punojnë natë e ditë për të bërë detyrën”, tha Halluçi, ndërsa tregoi dhe pistën kryesore në të cilën janë fokusuar hetimet, që është ajo për çështjen e pronave në breget.
“Ata që kanë grabitur pronat e qytetarëve të Vlorës, nuk do ti gëzojnë, Kuliçi është një nga prokurorët më të mirë të Republikës së Shqipërisë”, përfundoi Halluçi.
Vetëm në muajt e fundit prokurori Kuliçi kishte kërkuar vendosjen e masës së sekuestros për shumë prona në Vlorë, që rridhnin nga aktiviteti kriminal, dhe që kapnin shifrën prej miliona eurosh. Po ashtu ai kishte në dorë dosjen e tokave në Zvërnec si dhe kishte marrë si të pandehur ish-kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika.
(E.K/Faxweb.al)