Policia franceze ka hedhur gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve në qendër të Parisit, të cilët po kundërshtojnë sistemin e pensioneve.
Policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit, teksa këta të fundit tentuan që të hynin në stacionin e trenit në Gare de l’Est.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron tha se reformat janë esenciale, që të thjeshtohet sistemi aktual i pensioneve, por kundërshtarët e tij thonë se reformat e reja do të bëjnë që qytetarët të punojnë për një kohë më të gjatë, përpara se të dalin në pension, rapoton REL.
Punëtorët e transportit në Francë kanë hyrë në grevë që prej fillimit të dhjetorit të vitit të kaluar, duke kundërshtuar sistemin e ri të pensioneve. Njëherësh, kjo është greva më e gjatë në Francë në 51 vjetët e fundit.