Riti i shugurimit të Shenjtërores Shën Nënë Tereza në Prishtinë ka filluar në orën 11:00 me procesionin nga rezidenca ipeshkvore drejt dyerve hyrëse të kishës. Aty pritën ministrantët dhe priftërinjtë bashkëkremtues pas të cilëve shkuan Troshani dhe ipeshkvi Dodë Gjergji.
Në shugurimin e katedrales mori pjesë edhe kardinali Ernest Troshani, i deleguari i posaçëm i Vatikanit, si edhe drejtues të Ipeshkvisë së Kosovës, figura politike dhe ato të jetës publike, mes tyre presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.
Presidenti i Kosovës, pasi mori pjesë në ceremoni, shkruan se Tradita jonë popullore kurrë nuk ka bërë ndarje në mes të kishës, xhamisë, manastirit apo teqesë.
Ai tha se katedralja është jo vetëm një tempull fetar por edhe një rrëfim i historisë së Kosovës.
“Tradita jonë popullore kurrë nuk ka bërë ndarje në mes të kishës, xhamisë, manastirit apo teqesë.
Bashkë ishim në gurthemelin, bashkë në inaugurim dhe sot së bashku ishim edhe në shugurimin e katedrales Shën Tereza.
Kjo katedrale është shtëpi e Zotit, por është edhe shtëpi e qytetarëve të Kosovës. Ajo u ngrit me djersën e popullit, diasporës, besimtarëve shqiptarë, dashamirësve nga mbarë bota.
Kjo katedrale është, jo vetëm tempull fetar, por edhe një rrëfim i historisë sonë.
Jam i lumtur që gjatë këtij muaji do të kem mundësi t’i rrëfej Papa Françeskut në takim për shugurimin e Katedrales dhe për të gjitha zotimet dhe të arriturat e popullit të Kosovës”, shkruan Thaçi. (B.H/Shuplaka)