Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha edhe sot u është bashkuar banorëve të zonës së “Astirit” të cilët protestojnë kundër shembjes së banesave dhe bizneseve të tyre të cilat preken nga projekti i “Unazës së Madhe” të qytetit, pa u dëmshpërblyer në masë 100%.
Teksa falënderoi qytetarët për qëndresën e treguar, ai tha: “Mos u dorëzoni a ju të rinj, mos u dorëzoni ju studentë. Duke qëndruar të palëkundur jemi më të fortë.
Falënderime nga zemra Unazës së Re, pasi na kanë treguar se si mund të zmbrapset e keqja duke qëndruar të bashkuar.
Padyshim që unë jam dhe do të jem në krah të çdo proteste. Por ajo që mund të them është se shqiptarët duhet të ngrihen. Duke reaguar dhe qëndruar të bashkuar kundër një klike hajdutësh do të zmbrapset e keqja. Unë dhe Partia Demokratike do të jemi të gjithë në përkrahje të çdo proteste”.
Por më pas i pyetur lidhur me pretendimet e kreut të ALUIZNI-t, Artan Lame, se ka qenë qeveria e Partisë Demokratike që ka 49 leje në këtë zonë që preket nga projekti, ai i ka bërë “bisht” përgjigjes.
Ai shprehet: “E vërteta është se këtu po harxhohen 40 milionë euro. Po vidhen paratë e shqiptarëve. Askush nuk mund ta zhvendosë vëmendje. Ne do t’i zbrapsim, pasi kjo nuk është skemë zhvillimi por vjedhjeje”.
Më tej kryedemokrati u pyet lidhur me deklaratat e deputetëve të PD-së, të cilët kanë deklaruar se nëse duhet të shembin banesat e banorëve, IKMT dhe qeveria duhet të kalojë mbi trupat e tyre. Ndërsa shembjet kanë filluar, Basha u pyet se si do t’i mbrojë opozita banesat nga shembja.
Por sërish kryedemokrati i është shmangur përgjigjes duke thënë se PD po u qëndron krah banorëve, dhe se media duhet të bëjë punën e saj, e jo të shitet tek Edi Rama.
“Partia Demokratike aty ishte, në krah të banorëve. Ne do të jemi në krah të tyre, por bëni edhe ju detyrën tuaj. Vendosjuani mikrofonat prokurorëve. Sot dikush mund të ishte edhe në burg, por Prokuroria është e kapur. Ju kërkoj që të bëni detyrën tuaj.
Ju bëj thirrje të gjitha medieve, pasi disa prej medieve tuaja e kanë hequr kronikën e Unazës së Re. Dikush mund edhe ta heqë sonte me një telefon nga Kryeministri Edi Rama, por u bëj thirrje të gjithëve që të pasqyrojnë të vërtetën”, – tha ndër të tjera Basha.
(B.B/ Faxweb.al