Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me situatën më të fundit në Aleppo të Sirisë.
Sipas tij, “shpopullimi gjakësor i orkestruar nga regjimini Bashar El Asad, janë një njollë më shumë në ndërgjegjen e rrënuar ndërkombëtare”.
Në fund të postimit, Bushati shprehet se Shqipëria do të vijojë të mbështesë përpjekjet për të garantuar sigurinë e popullsisë civile të bllokuar.
Postimi i plotë i Ditmir Bushatit:
Rënia e Halepit dhe shpopullimi gjakësor i orkestruar nga regjimini Bashar El Asad, janë një njollë më shumë në ndërgjegjen e rrënuar ndërkombëtare.
Ndjenja e kompleksit prej gabimeve të së shkuarës, për fat të keq e ktheu “bashkësinë ndërkombëtare” në soditëse të një tragjedie njerëzore, e cila duhej parandaluar me çdo kusht. Një prej qendrave të trashëgimisë së njerëzimit, siç është Halepi, u shkatërrua tërësisht, u vra shpirtërisht dhe u kthye në fushë-varrezë të luftrave dhe interesave eksplozive gjeopolitike.
Ne në Ballkan e kemi provuar çmimin e lartë të pasivitetit ndaj përdorimit të forcës brutale që imponojnë regjime barbare. Plagët e krimeve të shkaktuara gjatë luftërave të Ballkanit janë ende të pashëruara. Sikundër tentativa gjithnjë e më e dukshme për të aplikuar të ashtuquajturën politikë të “sferës së influencave”, e cila synon destabilizimin e rajonit dhe frenimin e perspektivës së qartë euro-atlantike.
Qysh në nisje të këtij konflikti, Shqipëria ka mbështetur çdo iniciativë të ndërmarrë nga vendet partnere për Sirinë. Ne do të vijojmë të mbështesim përpjekjet për të garantuar sigurinë e popullsisë civile të bllokuar. /A.R/