Tifozët e Partizanit nuk kanë arritur të futen në Bullgari për të ndjekur ndeshjen e skuadrës së tyre të zemrës në përballjen ndaj Botev Plovdiv, e vlefshme për Europa League.
Policia bullgare i ka bllokuar ato në kufi dhe nuk i lë të kalojnë më argumentin se tifozët përbëjnë rrezikshmëri të lartë për këtë ndeshje.
Sipas “Panoramës” Për rreth katër orë, 70 tifozët shqiptarë janë të ndaluar në pikën kufitare mes Bullgarisë dhe Maqedonisë, ndërsa policia nuk lejon që të kalojë autobusin e tyre, duke i detyruar t’i nënshtrohen kontrolleve të njëpasnjëshme fizike dhe të automjetit.
Por edhe pse kontrollet nuk kanë nxjerrë asgjë që të mund të ndalojë kalimin e tyre, ata vazhdojnë të qëndrojnë në pikën kufitare. Tifozët kanë kontaktuar si me klubin e Partizanit , ashtu edhe me Ambasadën Shqiptare në Bullgari, por situata vazhdon të jetë e njëjta, ndërsa afron ndeshja mes dy skuadrave.
Meqë prej pikës kufitare e deri në Burgas është një distancë prej rreth 500 kilometrash, vonesat e mëtejshme e bëjnë thuajse të pamundur ndjekjen e ndeshjes nga grupi i tifozëve të Partizanit.
Edhe pse policia kishte bërë të ditur se kishte marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e ndeshjes, por me sa duket zgjidhjen e ka gjetur duke u mohuar tifozëve shqiptarë hyrjen në Bullgari për të ndjekur ekipin e tyre. (B.H/Shuplaka)