Gjatë ditës së djeshme policia në Hamburg të Gjermanisë ka arrestuar 14 persona ku përfshihen nëntë mjekë, tre farmacistë dhe dy menaxherë të kompanive farmaceutike. Ata dyshohet se dëmtuan buxhetin e një prej kompanive publike të sigurimeve shëndetësore me rreth 8 milionë euro
Bastisja e policisë filloi në mëngjes rreth orës nëntë ku morën pjesë rreth 420 polic dhe gjashtë prokurorë të cilët kontrolluan zyrat e kompanisë ‘Zytoservice’. Kjo kompani është lidere në prodhimin e infuzioneve për terapitë kundër kancerit, shkruajnë mediat gjermane.
Bastisja u zhvillua tutje në gjithsej 47 lokacione, përfshirë shtëpi private, ordinanca mjekësore, barnatore dhe një spital. E gjithë kjo për të gjetur fakte ndaj 14 të dyshuarve për marrje ryshfeti.
Liddy Oechtering, zëdhënëse e Prokurorisë së shtetit në Hamburg, ka deklaruar se profesionistët po hetohen pas dyshimeve për përfitime financiare nga kompanitë farmaceutike duke përshkruar barnat e tyre. “Dyshohet se këta farmacistë përmes benefiteve financiare, psh. sponsorizimin e grupeve për studime ose ordinancave, me qëllim që mjekët të përshkruajnë recetat me ilaçe për kancer me çmime të larta të kompanive dhe barnatoreve të caktuara”, ka deklaruar ajo.
Këto ryshfete dyshohet se kanë ndodhur për më shumë se dy vjet, raporton ‘Zeit Online’. Ryshfeti është kryer me para, makina të shtrenjta ose me lehtësira tjera në kuadër të profesionit. Në këmbim mjekët kanë përshkruar infuzione të kompanisë ‘Zytoservice’ të cilat kapin shumën deri në 100 mijë euro.
Kjo është edhe arsyeja pse këto receta janë shumë të njohura dhe në industri njihen si ‘ari farmaceutik’.
Metoda se si ka funksionuar ky ryshfet është se pacientëve nuk iu është dhënë receta gjatë terapisë, por ata janë referuar në barnatore të caktuara ku iu është përgatitur infuzioni.
Kryetari i Komisionit të Barnave në Asociacionin e Mjekëve të Gjermanisë, Wolf Dieter Ludwig, është tmerruar nga akuzat e ryshfetit. “Pavarësia e mjekut dhe karakteri i pavarur janë shumë të rëndësishme sepse vendimet e tij duhet të merren ashtu siç ai i sheh të arsyeshme, e jo në bazë të përfitimeve ekonomike”, ka deklaruar Ludwig.
Ai ka thënë se mjekët mund të kenë trajtuar në mënyrë ta gabuar pacientët me ilaçe të cilat në të vërtetë nuk iu janë dashur fare.
Kompania ‘Zytoservice’ nuk ka dal ende me asnjë qëndrim zyrtar në lidhje me këto arrestime.