Në kuvend dy depuetët e LIBRA-së kanë mbetur opozitarët e vetëm. Ben Blushi iu ka uruar suksese në fushatë kandidatëve për deputetë dhe ‘sukses në jetë’ atyre që mbetën jashtë listave të PS-së. Kujtojmë që seanca e sotme është e fundit për këtë legjislaturë të Parlamentit.
Në nisje Blushi, ka shpjeguar votën kundër Ilir Metës President, ndërsa nxori një bluzë me shënimin “Don’t Like Republic”.
Sipas tij, “kjo është republika që fëmijët e Shqipërisë nuk e pranojnë. Kjo është republika e Likes. Kjo republikë nuk mund të ekzistojë për shkak se po fundos Shqipërinë”.
“Fushatë të mbarë për të gjithë ata që do bëjnë fushatë dhe suksese në jetë ata që nuk do marrin pjesë”, tha Blushi nga foltorja e parlamentit. Po ashtu ai ka vijuar me akuzat e tij se kjo qeveri gënjen.
“Më gjeni një njeri që më 1 mars ose 1 prill që ka marrë rritje rroge. A ka shtet në botë që e premton dhe nuk e jep. Kë keni gënjyer ju, me paratë e kujt? Ça është kjo firmë private se dhe në firmë private ku i vonon rrogën 2 muaj ke sanksione, penalitete. Asnjë pensionist nuk ka marrë rritje. Deficiti dhe borxhi që i keni kësaj republike nuk do lahet dot me gjithë veprimtarinë politike edhe në 20 vitet e ardhshme. E keni bërë më keq seç e gjetët. Borxhi është rritur. Fola për të gjithë ata që kanë ikur”, tha Blushi. (E.K/SHUPLAKA)