Aksionet e përditshme të Policisë Bashkiake kundër shitësve ambulantë me qëllim lirimin e hapsirave publike, kanë hapur një debat të fortë në rrjetet sociale.
I pari që ka komentuar fotot ku duket Policia Bashkiake duke tërhequr zvarrë shitësit ambulantë, ka qenë analisti dhe moderator Dritan Hila.
Në një status në Facebook, Hila shkruan se kjo që bën Policia është ajo që duhet të bëjë një shtet ligjor. Duke i quajtur shitësit “katundarë”, Hila shkruan:
“Për katundarët që shesin abuzive dhe policia i largon nga trotuari, nuk më vjen keq fare. Madje i lumtë policisë. Ky quhet kryeqytet. Kush ka mall për katundarë që të zënë trotuarin, le të shkojë në Kandahar. Mirë pallatet nga 12 kate, rrugët e ngushta, makinat e parkuara abuzivisht, po edhe këta na duhen”.
Por nuk ka vonuar përgjigja e gazetarit Bledian Koka. Teksa e quan Hilën “ultra-qytetar” që ka një llogari të pambyllur me shtetin shqiptar kur punonte konsull, Koka shkruan se pavarësisht petkut të opinionistit publik, ‘qytetari’ Hila nuk mund t’ju kundërvihet njerëzve që punojnë për bukën e gojës.
Reagimi i plotë i gazetarit Bledian Koka:
“Nga unë, katunari gazetar
Janë ca bij … kryemaskarenjsh e katilash të Enver Hoxhës që janë katapultuar mes gazetarësh dhe tani nën petkun opinionistit publik dhe flasin me një gjuhë përçmimi për ata që nxjerrin bukën e gojës duke shitur barin që u mbin tek shtëpia. Ky lloj që i thotë vetes qytetar, në fakt nuk ka as grimën e qytetarisë së një qepe të njomë që shet një nëne e dhunuar nga lakejt e Velenisë çdo ditë.
Të gjithë e duam rregullin, por asnjë mendje e arsyeshme nuk mund të rreshtohet me barbarizmin e paarsyeshëm që ushtrohet ndaj të pamundurve që nuk dinë ku ta përplasin kokën e që duan bukë. Ky “ultra-qytetar” që ka një llogari të hapur me ligjin në kohën kur punonte konsull i këtij shteti, sot ka guximin që të dalë në krah të dhunës së pushtetit që nuk të jep asnjë shanc të mbushësh barkun me bukë, gjoja në mbrojtje të një kryeqyteti të vrarë e të pakallur.
p.s…dardha e babës se vet që ia damkoste shqiptarëve mishin me darë për llogari të një regjimi gjakatar, sot nuk mundet të bjerë më larg se pema e së keqes që e ka pjellë dhe që njësoj si dje edhe sot dhunon njësoj po të njëjtin popull…për bukën e gojës!”
(F.G/Faxweb.al)