Sot nga ora 10.00-13.00 sipas rregullave të COVID-it do të zhvillohen homazhet në nderim të poliedrikut Moikom Zeqo në Muzeun Historik Kombëtar. Sipas familjarëve, ky ka qenë edheamaneti i eruditit, i cili ka kontribuuar, si drejtor i këtij institucioni për 8 vite radhazi, 1997-2005.
Zeqo u shua 5 ditë më parë pas një lufte të gjatë me një sëmundje të rëndë, ndërsa sot do të përcillet në banesën e fundit. E megjithatë, kontributi i tij mbetet i paçmuar në letërsi, politikë, publicistikë, filozofi, arkeologji edhe pikturë.
Nga miqtë edhe kolegët Moikom Zeqo cilësohet, si një ndër intelektualët e paktë, që ia kushtoi jetën krijimtarisë, familjes, por mbi të gjitha emancipimit të politikës edhe shoqërisë shqiptare.
Ai lindi më 3 qershor 1949 në qytetin e Durrësit, ndërsa familja e tij është me origjinë nga Libohova, ku bëri arsimin fillor. Zeqo prej disa vitesh vuante nga leuçemia akute, e cila është bërë shkak dhe për ndarjen e tij nga jeta.
Më 1967 nisi të ndiqte Fakultetin Histori Filologji, duke u diplomuar në Universitetin e Tiranës më 1971 në degën gjuhë-letërsi. Në vitet 1971-1974 punoi si gazetar dhe redaktor letrar i gazetës “Drita”. Më 1974-‘76 punoi si mësues në Rrogozhinë. Më pas, në vitet 1979-1987 qe punonjës shkencor pranë Muzeut Arkeologjik të Durrësit. Më 1987-1990 punoi si specialist në sektorin e artit antik në Akademinë e Shkencave në Tiranë. Në qershor të 1991 qe pjesë e grupit organizator të Kongresit të 10-të të Partisë së Punës. Më 31 janar – 10 maj 1991 u emërua kryetar i Komitetit të Kulturës dhe po atë vit iu dha portofoli i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Më 1991 dhe 1992 kandidat për deputet, kur dhe u zgjodh dhe shërbeu deri më 1996 si deputet i PS-së. Më 1997-2005 ka qenë drejtor i Muzeu Historik Kombëtar.
Moikom Zeqo mban Urdhërin e Lartë “Mjeshtër i Madh”.
Ai është autori i 62 librave me poezi, studime arkeologjike, për historinë e artit, si dhe të nje numri skenaresh për filma kinematografike e televizivë me karakter arkeologjik dhe kulturor. Ka marrë disa herë çmime të para për librat e tij. Krijime të Moikom Zeqos janë përkthyer në gjuhët anglisht, frëngjisht, greqisht, italisht, serbokroatisht, bullgarisht, rumanisht, polonisht, danisht, esperanto, gjermanisht. Është autor i tre ekspozitave vetiake në pikturë.