Specialisti i arsimit Ardi Stefa e ka cilësuar “të nxituar” vendimin e Ministrisë së Arsimit dhe të Shëndetësisë që të hapen të gjitha shkollat fillore dhe gjimnazet më 14 Shtator. Duke folur në lidhje skype për studion e Fax News, u shpreh se ky vendim është i duhuri, por mbetet i nxituar pasi sipas tij nuk ka ende një plan masash se si do të zhvillohet procesi mësimor.
“Është një vendim i marrë me nxitim, jo i gabuar ku të dyja duket se janë lëvizje afatshkurtra që duket sikur të dyja ministret mezi presin të shuhet pandemia ose të prodhohet vaksina kundër virusit. Kjo nuk është as e drejtë as efikase se tashmë e gjithë bota e ka kuptuar se sfida apo viruse më të fuqishme mund të vijnë. Prandaj dhe njerëzimi duhet të përgatitet për këto sfida. Them që vendimi i tyre është i drejtë por i nxituar sepse nuk kanë paraqitur asnjë plan masash”, u shpreh Stefa.
Sa i përket rritjes së shifrave dhe Ministria detyrohet të mbyllë shkollat dhe të vijojë sërish me mësimin online, specialisti i arsimit tha se Shqipëria do të përballej me “dy breza si analfabetë funksionalë”. Ndërsa thekson se Ministria e Arsimit duhet ta kishte studiuar këtë që prej muajit Maj dhe të merrte masa serioze për zhvillimin e arsimit.
“Atëherë do kishim dy vite mësimore që nuk do bëhej mësim normal. Do kishim dy breza që do të dilnin si analfabetë funksionalë në Shqipëri, pra një dëmtim dhe torturë, shkatërrim total i arsimit në Shqipëri dhe i brezave duke nisur nga klasa e parë në atë të 12-të dhe duke vijuar më tutje me universitete.
Nga ana tjetër, zhvillimi i një mësimi të tillë online do të kishte efektivitet nëse Ministria duke nisur nga muaji Maj do e shihte me seriozitet dhe prioritet zhvillimin dhe evoluimin e arsimit. Pra jo një arsim sot për sot, por që të shërbente edhe për nesër. Pra duhet të investonte, të kishte programe, të kërkonte rritje të buxhetit të shtetit pavarësisht se jemi shtet me buxhet skandaloz për arsimin dhe shëndetësinë”, tha Stefa.(A.M/Faxweb.al)