Imami Ahmed Kalaja përmes një video-mesazhi të shpërndarë në rrjete sociale dha informacione në lidhje me sulmin e ndodhur në ambientet e xhamisë te rruga e Kavajës, ku shtetasi Rudolf Nikolli ka plagosur me thikë 5 persona.
Kalaja bën me dije se u sulmuan 5 persona mes të cilëve pjesë e stafit të xhamisë dhe disa besimtarë. Duke shpresuar që të mos jetë një sulm terrorist, imami kërkon dënimin e agresorit.
“Sot pas dreke pranë xhamisë ‘Dine Hoxha’ një njeri i armatosur godet besimtarët brenda xhamisë. Nuk mjaftohet vetëm me goditjen e besimtarëve por edhe njerëzit që ishin në rrugë. Faleminderit Zotit që është arrestuar. Falënderoj besimtarët që kanë reaguar pozitivisht ndaj situatës.
Nuk ka asgjë për tu shqetësuar. Lus Zotin të shërojë vëllezërit tanë që janë plagosur. Shpresoj shumë që të mos jetë akt terrorist, por njeri me të meta mendore që ka bërë një gjë të tillë. shpresoj që për punë orësh xhamia do të kthehet sërish në gjendjen e saj të mëpërparshme. Zoti i madh lëshoftë mbi ne mëshirë dhe paqe, largoftë nga ne njerëz që janë me probleme, “ ka thënë Kalaja.