Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, ka bërë sot publike listën e emrave të futbollistëve që ka grumbulluar për fazën përgatitore të Euro 2024 dhe pjesëmarrjen në këtë aktivitet.
Ashtu siç pritej, lista është përbërë kryesisht nga emrat e futbollistëve që kanë marrë pjesë aktive në kualifikueset e Europianit dhe siguruan biletën e kuqezinjve për këtë turne prestigjioz.
Kështu për portën janë thirrur Etrit Berisha, Thomas Strakosha, Elhan Kastrati e Simon Simoni.
Në mbrojtje Sylvinho ka vendosur të marrë me vete për fazën përgatitore Naser Alijin, Arlind Ajetin, Ivan Balliun, Berat Gjimshitin, Elseid Hysajn, Mario Mitajn, Marash Kumbullën, Ardian Ismajlin dhe Enea Mihajn.
Në mesfushë rikthehet Amir Abrashi, ndërsa pjesa tjetër e grupit përbëhet nga Kristjan Asllani, Nedim Bajrami, Medon Berisha, Klaus Gjasula, Qazim Laçi, Ernest Muçi dhe Ylber Ramadani.
Ndërkaq, sulmi përbëhet nga Armando Broja, Jasir Asani, Mirlind Daku, Arbër Hoxha, Rey Manaj dhe Taulant Seferi.