Situata postzgjedhore në Maqedoni ka sjellë edhe ndarjet e mëdha në qëndrimin mes koalicioneve, partive dhe qëndrimeve që ato në mënyrë të diferencuar mbajnë. Nikolla Gruevskit i kanë mbetur vetëm 2 ditë kohë për krijimin e qeverisë dhe deri tani, shpresa e tij e vetme duket se është BDI-ja, edhe pse Ali Ahmeti nuk terhiqet nga kerkesat e tij.
Takime sekrete, biseda të brendëshme dhe komunikime përmes kanaleve nga më të ndryshmet janë përpjekjet që po bëjnë Gruevski dhe bashkëpunëtoret e tij për gjetjen e kompromisit me partnerin e tij të deritanishëm qeveritar, informon agjencia e lajmeve INA.
Me 10 deputetët e siguruar në zgjedhjet e 11 dhjetorit, Bashkimi Demokratik për Integrim rezulton vendimtar për krijimin e ekzekutivit të ri.
Zyrtarisht, Ahmeti dhe Gruevski kanë mbajtur vetëm një takim për qeverinë, duke mos konkretizuar asgjë përsa i takon bashkëqeverisjes.
Arsyeja e mosarritjes së një marrëveshjeje janë kushtet e kreut të BDI-së për zyrtarizimin dhe përdorimin e gjuhës shqipe në gjithë territorin e vendit, si dhe shtyrjen e mandatit të Prokurorisë Speciale me qëllimin që të vazhdojnë hetimet mbi skandalin e përgjimeve.
Këto dy kushte janë të papranueshme për liderin e VMRO-DPMNE-së, i cili e ka refuzuar pranimin e tyre, duke theksuar se në këtë mënyrë vendi do të rrëshqasë drejt federalizimit, apo kantonizimit. Por koha shtrëngon dhe gjasat që Gruevski të gjejë një zgjidhje sa vijnë e tkurren.
Praktika e deritanishme ka treguar se gjatë periudhës së bashkëqeverisjes 2008-2016, VMRO-DPMNE dhe BDI ishin marrë vesh që në ditët e para për koalicionin, duke mos e zvarritur procesin e formimit të ekzekutivit.
Sipas Kushtetutës maqedonase, nëse Gruevski nuk arrin ta krijojë qeverinë, atëherë mandatin e dhënë ai duhet t’ia dorëzojë presidentit Ivanov, që ia kalon partisë së dytë, e cila në këtë rast është LSDM.
Disa ekspertë kushtetues mendojnë megjithatë se dokumenti themeltar nuk e dikton që mandati t’i kalojë partisë së dytë dhe se opsioni i vetëm është që vendi të shkojë në zgjedhje të reja. (E.K/SHUPLAKA)