Mbrëmjen e kësaj të hëne është luajtur ndeshja Kosovë-Bullgari në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës, nën një atmosferë elektrizuese. Pavarësisht se zhvilluan një 90 minutësh të mrekullueshëm, “Dardanët” e drejtuar nga Bernard Challandes nuk kanë arritur dot të triumfojnë duke i dhënë fund kësaj sfide me një barazim mes palëve. Në këtë mënyrë, pavarësisht përpjekjeve dhe rasteve të shumta, Kosova debuton në eliminatoret e Euro 2020-ës me një barazim.
Në ndeshjen e sotme paraqitja e Kosovës ishte mjaft e mirë, më e mirë krahasuar edhe me bullgarët. Kjo shihet qartazi edhe nga rastet e shumta që ajo pati, raste këto që u finalizuan pozitivisht vetëm në minutën e 62-të, kur sulmuesi anësor Arbër Zeneli arriti të prekte rrjetën duke mposhtur kështu portierin mik.
Fakti që Kosova ka qenë fituesi moral i kësaj ndeshje shihet edhe nga statistikat e nxjerra nga UEFA pas ndeshjes. Sipas statistikave, Kosova pati 62 për qind të ndeshjes posedimin e topit, ndërsa 38 për qind ishte në anën e kundërshtarit.
Po ashtu, Kosova sulmoi 12 herë Bullgarinë, ku pesë goditje ishin brenda kornizës së portës, një e Zenelit që përfundojë në gol dhe 3 të Rashicës që i priti portieri Mihajlov dhe një shtyllë e Muriqit.
Gjithsesi pavarësisht paraqitjes, kjo është pika e parë që merr Kosova në kualifikimet e saj për Europianin. Në qershor Kosova do të luaj dy ndeshje jashtë fushës së saj, kundër Malit të Zi më 7 qershor dhe kundër Bullgarisë më 10 qershor.
Ndërkohë në ndeshjet e grupit A, Anglia fitoi me rezultatin e thellë 1-5 në Podgoricë, duke u pozicionuar menjëherë në krye, me 6 pikë të plota, pas dy takimeve të para, ndërsa Bullgaria mban vendin e dytë me 2 pikë.