Pas vendosjes së një takse ekstra për mallrat e importit nga Serbia dhe Bosnja, kanë reaguar edhe ministrat e Jashtëm të këtyre vendeve.
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, është shprehur se taksa e vendosur nga Prishtina zyrtare është një mesazh i Prishtinëse ndaj Bashkimit Evropian që t’iu miratojë qytetarëve të kosovarë liberalizimin e vizave.
“Nuk kemi çfarë të ndërmarrim. Kjo është mënyra se si funksionon Prishtina”, tha Daçiq për gazetarët në Beograd.
Sipas tij, vendimi i Prishtinës është në kundërshtim me CEFTA-n – Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë midis vendeve të Evropës Qendrore – dhe në kundërshtim me idenë për një hapësirë të përbashkët ekonomike në Ballkanin Perëndimor, të proklamuar nga komisionari për zgjerim i BE-së, Johannes Hahn.
Nga ana tjetër ka reaguar edhe Bosnja me anë të ministrit të Jashtëm Igor Crnadak, i cili është shprehur se vendimi në fjalë shkel parimet e tregtisë së lirë në rajon. Ai tha se në kuadër të CEFTA-s, vendi i tij do të reagojë dhe do të kërkojë të jetë në rend dite në takimin e ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor.
“Ndaj këtij vendimi të autoriteteve në Prishtinë, Bosnja do të reagojë në kuadër të CEFTA-s – Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë midis vendeve të Evropës Qendrore. Unë po ashtu do të kërkoj që ky vendim i Prishtinës të futet në rend dite në takimin e ministrave të Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet më 29 dhe 30 nëntor në Mal të Zi”, është shprehur Crnadak.
Kujtojmë se Serbia ka ndërmarrë një “ofensivë” kundër njohjeve të Kosovës ndërsa Bosnja nuk e ka njohur ende si shtet, e për këtë Kosova u vendosi taksë +10% mallrave të importit nga këto vende.
(B. B/ Faxweb.al)