Kryetari i grupi parlamentare të PS-së, Taulant Balla, përmes një postimi në facebook, ka përshëndetur Policinë e Shtetit për zbulimin dhe vendosjen në pranga të autorëve të ngjarjeve të fundit kriminale që kanë ndodhur në qytetin e Elbasanit. Balla shprehet se rezultati i një pune 10 ditore pandërprerje bërën të mundur arritjen e suksesit ditën e sotme.
Postimi i plotë i ballës: Përshëndes punën e Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë Elbasan për zbulimin dhe vendosjen në pranga të autorëve të disa ngjarjeve kriminale.
Puna e kryer me profesionalizëm nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan dhe Departamenti i Policisë Krimnale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin aktiv të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan ishte një goditje e fortë ndaj krimit.
Ky hetim i plotë dhe profesional ishte një detyrë që duhej kryer me shpejtësi, sikurse me padurim ishte pritshmëria e qytetarëve të Elbasanit për goditjen e fortë të krimit në këtë qytet, pas disa ngjarjeve kriminale tronditëse.
E nxisim Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë Elbasan të forcojnë luftën kundër krimit. Rezultatet e ditës së sotme, pas një pune të pandërprerë 10 ditore, janë premisa për rezultate të tjera pozitive.