Kur u bë tashmë një jave nga djegia e mandateve nga ana e PD-së dhe LSI-së, një pjesë e mirë e pasuesve në lista kanë hequr dorë nga e drejta për të qenë në Kuvend. Mirëpo në lista ka dhe të pabindur, që duket se po miklohen nga dëshira për të qenë pjesë e Kuvendit.
Kështu burime për Fax News bëjnë me dije se ka të paktën 11 kandidatë që nuk janë shprehur ende nëse do të marrin mandatin, dhe me gjasë në finale përgjigja e tyre do të jetë po.
Po le të analizojmë më konkretisht listën e mëposhtme:
Lefter Maliqi, i cili ka garuar në qarkun e Beratit, dhe është i njohur për qëndrimet e tij kontradiktore, dhe për kalimet sa në një krah të politikës në krahun tjetër. Maliqi ka provuar që të garojë me të treja forcat politike: PD, PS dhe LSI, dhe me partinë e drejtuar nga Basha pati një përplasje në zgjedhje, për shkak se u rendit në listën jofituese, duket se tashmë është shansi i tij.
Po ashtu nga PD nuk kanë shprehur derimë tani një qëndrim refuzues as Ligoraq Karamelo në Korçë, Erjon Piciri apo Selami Jenisheri.
Nga ana tjetër edhe në LSI ka mjaft të pabindur, dhe këtë duket se e konfirmoi edhe vetë kryetarja e kësaj force politike, Monika Kryemadhi, kur tha se merkatoja është kthyer fuqishëm, duke nënkuptuar se Rama po i bind përmes korrupsionit kandidatët.
Kandidatë e LSI që nuk janë tërhequr
Ralf Gjoni, i cili ishte në listën e deputetëve në Tiranë. I pyetur me këmbëngulje nga ana e gazetarëve, ai nuk ka dhënë një qëndrim të prerë, po ka lënë të kuptohet se do të marrë mandatin, veçanërisht pas takimit që pati dje dhe me eurokomisionerin Fleckenstein. (lexo edhe këtu)
Ylli Shehu, i cili po ashtu është në listën e Tiranës, është shprehur dje për mediat: “Unë nuk kam firmosur ende një deklaratë paraprake dorëheqjeje. Unë jam njoftuar nga KQZ për të drejtën e përfitimit të mandatit, dhe kam 10 ditë kohë të dorezoj formularin e dekriminalizimit. Deri atëherë kam kohë të mendohem dhe të konsultohem me gjithçka ndodh, pas shkëputjes gati 2 vjeçare me politikën aktive. Shpresoj në mirëkuptimin tuaj për ta marrë gjithë kohën që kam në dispozicion për të thënë fjalën e fundit’’.
Enver Roshi, kandidat në listën e qytetit të Elbasanit është shprehur eksluzivisht për Fax News: Nuk kam përgjigje momentale. Do të flasë në momentin e duhur. Nuk kam kohë t’ju jap përgjigje.
Ndërkohë në qarkun e Durrësit janë dy kandidatë që janë gati të pranojnë mandatin, Edlira Hyseni dhe Flamur Gjuzi, që me siguri të dy do të jenë të gatshëm të ulen në Kuvend, edhe pse Gjuzi në rast se pranon Hyseni skualifikohet. Hyseni është një nga deputetet e afërta me Lefter Kokën, i cili që prej fillimit nuk hoqi dorë nga mandati i deputetit.
Ndërkohë në Tiranë është dhe një tjetër kandidate që mund ta pranojë mandatin, Bora Panajoti, e cila është dhe anëtare në Këshillin Bashkiak, dhe një ndër të parat që ofroi mbështetjen e pakursyer në drejtim të Veliajt. Me siguri që nuk do të kishte problem që të mbështeste dhe Ramën në idenë e krijimit të një opozite artificiale në Kuvend.
Emri i fundit që mund ti bashkohet Kuvendit është Klajdi Qama- Berat, i cili do të zinte vendin e lënë bosh nga Nasip Naço apo Silva Caka.
Po mes personave që mund të pranojnë mandatin është dhe aleati i Bashës Agron Duka, i cili ka thënë se do të hynte në Kuvend me kushtin e vetëm nëse mazhoranca do të pranonte që të ndryshonte sistemin zgjedhor.
Ndërkohë që kandidatëve u është lënë 10 ditë kohë nga ana e KQZ-së për të dorëzuar formularin e dekriminalizimit.
(E.K/FAXWEB.AL)