Edhe këtë vit vihet re një rritje e interesit të të rinjve në Elbasan për të ndjekur mësim në shkollat profesionale.
Në dy shkollat që nxjerrin zanatçinj të rinj, por edhe në qendrën e formimit profesional të rinjtë zgjedhin këtë profil, për shkak se integrohen me lehtë ne tregun e punës.
Drejtoresha e shkollës profesionale “Ali Myftiu ” në Elbasan thotë se nxënësit shfaqin interes të lartë, kryesisht për degën e elektronikës, Shërbimet e Mjetet e Transportit dhe mekanikën.
“Një arsim i mirë profesional te krijon mundësi punësimi në radhë të parë, por nuk të pengon të vazhdosh arsimin e lartë nëse plotëson kriteret nga shkollat e larta. Unë ju bëj thirrje të rinjve se një arsim profesional është një investim shumë i mirë për jetën e tyre. Të rinjtë kanë prioritet se ndihmohen nga qeveria me anë të bursave”-u shpreh drejtoresha e shkollës Refiko Lushnjani.
Në Elbasan çdo vit dalin qindra profesionistë në drejtime të ndryshme, ndërsa bashkëpunimi me bizneset ndihmon në punësimin e tyre. Nxënësit e viteve të para tregojnë arsyet se përse kanë zgjedhur arsimin profesional.
Për arsye të kërkesave të larta regjistrimet për vitet e para në shkollat profesionale vijojnë deri në fund të muajit shtator.